Shqip
Shqip

Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NJSBC)

Sigurimi i cilësisë në Kolegjin Universitar “Qiriazi” përfshin tërësinë e strukturave, njësive, proceseve sistematike, procedurave, mekanizmave dhe instrumenteve të krijuara për vlerësimin, monitorimin dhe rishikimin e performancës, evidentimin e rezultateve dhe hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e vazhdueshëm të njësive institucionale dhe programeve të studimit. Qëllimi kryesor i sigurimit të cilësisë akademike është të garantojë rishikimin, analizën dhe përmirësimin e vazhdueshëm të të gjitha programeve të studimit dhe njësive institucionale, përfshirë njësitë kërkimore. Ky proces realizohet nëpërmjet një reflektimi të brendshëm kritik dhe konstruktiv, të kryer nga personel i brendshëm i kualifikuar, si dhe nëpërmjet vlerësimit nga ekspertë të jashtëm. Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NjSBC) përbëhet nga pesë anëtarë: katër anëtarë janë pjesëtarë të stafit akademik, të punësuar me kohë të plotë dhe pa funksione drejtuese, ndërsa një anëtar është student, i rekomanduar nga Këshilli Studentor i Kolegjit. Kandidaturat për anëtarë të NjSBC-së përzgjidhen nga rektori, në konsultim me strukturat përkatëse nga të cilat ato propozohen. Anëtarët dhe kryetari i NjSBC-së miratohen nga Senati Akademik.

Anëtarë të Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë

Dr. Valentina Memini është Drejtuese e Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, si dhe pjesë e Departamentit të së Drejtës Civile dhe të Biznesit (Profil: https://qiriazi.edu.al/stafi-akademik/valentina-mimini/)

Dr. Stavri Bello është anëtar, pedagog pranë Fakultetit të Edukimit, Shkencave Humane dhe Sociale

Dr. Denisa Cani është anëtare, pedagoge pranë Fakultetit të Ekonomisë

Dr. (proc.) Eva Ceka është anëtare, pedagoge pranë Kolegjit Profesional të Lartë

Anxhel Rrushi është anëtar, student, Fakulteti i Ekonomisë

 

Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë:

  • Mbështet dhe ofron ekspertizë. Anëtarët ofrojnë ekspertizë në zhvillimin e proceseve përkatëse të sigurimit të cilësisë. Në veçanti, ekspertiza përqendrohet në zbatimin e mekanizmave për sigurimin e cilësisë në mësimdhënie, vlerësim dhe përfshirjen e studentëve në procesin e të nxënit.
  • Bashkërendon komunikimin midis strukturave të ndryshme, veçanërisht kur procesi i delegohet fakulteteve ose kur ka një proces vlerësimi të organizuar nga Kolegji. Ky rol bashkërendues shtrihet edhe në njësi të tjera në Kolegj, kur procesi ka të bëjë me zhvillimin e personelit dhe mbledhjen/analizën e të dhënave institucionale.
  • Interpreton detyrimet kombëtare dhe evropiane të sigurimit të cilësisë, në mënyrë që t’i përshtasë ato në kontekstin institucional. Anëtarët e NjSBC-së garantojnë që këto detyrime kombëtare dhe evropiane të njihen dhe të përfshihen nga universiteti.
  • Monitoron duke ofruar udhëzime, duke mbledhur informacione dhe duke evidentuar probleme, të cilat i përcjell në njësitë përgjegjëse për zgjidhje.
  • Administron, organizon dhe përgatit vizita të vlerësimit të jashtëm ose fton ekspertë të jashtëm për të trajnuar stafin që merret me vlerësimin e brendshëm.

 

Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë, në kuadër të procesit të koordinimit të planifikimit strategjik në Kolegjin Universitar “Qiriazi”:

  • Monitoron procesin e vlerësimit të mësimdhënies, si edhe çdo veprim akademik dhe administrativ, zhvillimin e cilësisë dhe miratimin e standardeve të cilësisë; të gjitha këto në përputhje me planin strategjik dhe misionin e Kolegjit.
  • Hulumton modele të ndryshme, në kuadër të përmirësimit të cilësisë, që mund të merren si shembull, si edhe shpërndarjen e tyre në njësitë e tjera akademike dhe administrative.
  • Koordinon zbatimin e standardeve të kontrollit të brendshëm, në përputhje me kuadrin rregullator të Kolegjit, përgatitjen e planit të veprimit të kontrollit të brendshëm, si edhe, në raste të nevojshme, përcaktimin e standardeve të reja në institucion.
  • Përcakton objektiva strategjikë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, në përputhje me misionin, vizionin dhe gjendjen e Kolegjit.
  • Identifikon gjendjen dhe monitoron treguesit e realizimit të objektivave strategjike.
  • Rekomandon qëllime dhe strategji institucionale.
  • Propozon zbatimin e planit strategjik të institucionit dhe planin e veprimit.
  • Propozon aktivitete për përmirësimin dhe monitorimin periodik në të gjithë institucionin.
  • Përgatit rekomandime shtesë në udhëzuesit e NjSBC-së mbi përmirësimin e cilësisë dhe planifikimin strategjik të njësive akademike dhe administrative.
  • Përgatit dhe administron planifikimin strategjik të Kolegjit dhe afatet e zbatimit të tij.
  • Kryen planifikimin e burimeve për çdo aktivitet dhe projekt, në kuadër të një veprimi strategjik të njësisë akademike dhe administrative të institucionit.
  • Vlerëson financimin aktual dhe shpenzimet e investimeve, të nevojshme për planifikimin strategjik dhe zbatimin e tij nga njësitë akademike dhe administrative, në një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.
  • Vlerëson dhe publikon të gjitha veprimtaritë e përgatitura në njësi mbi vlerësimin e shërbimeve akademike dhe administrative, zhvillimin e cilësisë dhe miratimin e standardeve të cilësisë, në kuadrin e planit dhe qëllimeve strategjike të Kolegjit.
  • Siguron koordinimin e procesit të planifikimit strategjik në njësi dhe përshtatjen me ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe aktet e tjera nënligjore. Në kuadrin e planit dhe qëllimeve strategjike, kryen vlerësimin e shërbimeve administrative, zhvillimin e cilësisë, miraton standardet e cilësisë, si dhe kryen çdo detyrë tjetër në këtë kuadër dhe publikon rezultatet.
  • Njofton njësitë për vendimet e marra, mbikëqyr zbatimin e procesit të punës në kuadrin e sigurimit të cilësisë dhe monitoron rezultatet e kësaj pune.
  • Ndjek procesin e vlerësimit të brendshëm të institucionit, si dhe përgatitjen ose mbikëqyrjen e përgatitjes së raportit të vetëvlerësimit.
  • Ndjek përgatitjen e terrenit për “vlerësimin e jashtëm” të Kolegjit dhe vënien në dispozicion të institucionit ose organizatës së vlerësimit të jashtëm të çdo informacioni të nevojshëm.
  • Ndjek nga afër punimet e vlerësimit të brendshëm dhe të atij institucional dhe i koordinon me masat e ndërmarra në kuadër të planifikimit strategjik, përmirësimit dhe monitorimit periodik.
  • Jep sugjerime duke u bazuar në problemet e evidentuara nga analiza SWOT.
  • Shqyrton dhe ia paraqet për miratim Senatit raportet e saj, pasi të ketë marrë edhe opinionin e NjSBC-së, mbi formën dhe përmbajtjen e raporteve vjetore mbi vlerësimin akademik dhe zhvillimin e cilësisë së njësive akademike dhe administrative të paraqitura në NjSBC.
  • Koordinon njësinë për hartimin e Raportit të Vlerësimit të Brendshëm, në proceset periodike të akreditimit institucional dhe miks, dhe çdo detyrë që del nga ky proces.

 

Raporte NjSBC

Apliko Tani