Kolegji Universitar “Qiriazi” festoi përvjetorin e tij të artë, duke glorifikuar vazhdimësinë 100-vjeçare, krijuar mbi themelet e një trashëgimie historike, e identifikuar me të njëjtën logo dhe me aktivitet në të njëjtën godinë ku ndodhemi sot. Historia e vazhdimësisë nga “Instituti Femëror Qiriazi” në Tiranë, më 1922, te Kolegji Universitar “Qiriazi”, më 2022, na ka dhënë të drejtën e pakontestueshme që të jemi institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Shqipëri, me një histori dhe trashëgimi shekullore.
Kolegji Universitar “Qiriazi” u hap si një obligim për të lartësuar emrat e tre themeluesve: Motrat Qiriazi dhe Kristo Dako, që janë në të njëjtën kohë si emblema jonë dalluese, ashtu edhe ikonat e arsimit tonë kombëtar. Ata janë “trinia” që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historiografinë e arsimit shqip, duke e shndërruar “Kolegjin Universitar Qiriazi” në një institucion arsimor me një histori që bën diferencë. Në festën e kremtimit të këtij përvjetori, për të pranishmit u shfaq dokumentari “Përvjetori i Artë” dhe u promovua botimi i librit “Mosha e Artë e një Universiteti”, për të vijuar me referimet e simpoziumit historik, krahas ekspozitës me foto historike, të përgatitur nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës. Aktivitetin e 100-vjetorit e nderuan me pjesëmarrjen e tyre autoritete të spikatura të arsimit, të shkencës dhe politikës, miq dhe partnerë vendas e të huaj, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe të forumit ekonomik mbarëshqiptar.
Në këtë “Përvjetor të Artë”, Kolegji Universitar “Qiriazi” nderoi me gradën “Doktor Honoris Causa” kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, me motivacionin: “Për kontributin e tij të veçantë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, për mençurinë dhe vlerat e larta intelektuale dhe shtetformuese në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar; për lidhjet e tij shpirtërore me ikonat e arsimit tonë kombëtar, Sevasti & Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, që janë trashëgimia historike dhe vazhdimësia e Kolegjit Universitar ‘Qiriazi’.” Aktiviteti u mbyll me një atmosferë festive dhe mikpritëse, nën tingujt e muzikës dhe valleve të përgatitura me shumë dashuri dhe profesionalizëm nga studentët e Kolegjit Universitar “Qiriazi”.