Mjedisi rrethues social dhe jo vetëm na fton për një sjellje etike, si në planin e marrëdhënieve sociale në tërësi, ashtu edhe brenda institucionit tonë në veçanti, përmes njohjes dhe respektimit të normave të parashikuara në Kodin e Etikës. Në respekt të tij, Kolegji “Qiriazi” fton të gjithë studentët, stafin akademik dhe punonjësit ta njohin, ta përdorin dhe të reflektojnë ndaj vlerave të këtij kodi.
Kodi i Etikës kërkon që:
Të manifestojmë disiplinë dhe korrektësi në realizimin e detyrave, të shfaqim përgjegjësi e përgjegjshmëri të lartë në pozicionet e ngarkuara.
Të tregohemi të matur e të kujdesshëm për gjithçka që shkruajmë dhe themi, të jemi bashkëpunëtorë konstruktivë në të gjitha veprimet që kryejmë.
Secili prej nesh, dhe të gjithë bashkërisht, të shmangim çdo lloj konflikti midis interesave të Kolegjit dhe interesave personale.
Të jemi të përgjegjshëm ndaj informacioneve që marrim për çdo lloj thyerje të Kodit të Etikës duke reflektuar me qëndrimin e duhur.
Për realizimin e kërkesave të mësipërme lipset të respektojmë parimet bazë të Kodit të Etikës: të jemi studentë/punonjës e qytetarë me dinjitet; të distancohemi nga çdo veprim antiligjor dhe i padrejtë që mund të dëmtojë Kolegjin apo të bjerë në kundërshtim me rregulloren e tij; t’i respektojmë studentët dhe të angazhohemi për të plotësuar kërkesat e tyre.
Të jemi punonjës/studentë e qytetarë të denjë.
Për këtë duhet:
Të tregojmë mirësjellje, respekt, sinqeritet dhe mirëbesim, për ta ndjerë veten të gjithë të barabartë përpara rregullave dhe normave ligjore; të tregojmë ndershmëri dhe mirënjohje ndaj njëri-tjetrit.
Të respektojmë rregullat e sigurisë për ambientet e Kolegjit dhe jetën fizike të personave në komunitet.
Të artikulojmë një gjuhë të kulturuar si shprehje e vlerave dhe shëndetit intelektual që mbart e stimulon shkolla e lartë, duke luftuar kundër çdo gjuhe abuzive dhe të përçudnuar.
Të jemi kundër përdorimit të duhanit dhe narkotikëve të çfarëdollojshëm; të mos konsumojmë pije alkoolike në mjediset e Kolegjit dhe Universitetit.
Të manifestojmë kulturë edhe në paraqitjen tonë të jashtme, me veshje të thjeshta dhe të përshtatshme; të jemi kundër çdo lloj vulgariteti dhe ekstravagance që stonon me mjedisin universitar.
Të shmangemi nga çdo veprim joligjor dhe i papërshtatshëm që mund të dëmtojë Kolegjin ose të jetë në kundërshtim me rregulloren e tij.
Për këtë duhet:
Të veprojmë në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e Kolegjit.
Të angazhohemi të gjithë në luftën kundër korrupsionit, i manifestuar përmes formave të ndryshme të rryshfetit apo mitmarrjes, duke i konsideruar ato absolutisht të papranueshme, shoqërisht të dëmshme dhe ligjërisht të dënueshme.
Të shfaqim respekt për njëri-tjetrin në marrëdhëniet e punës dhe jashtë saj. Sjelljet e pahijshme, ngacmimet dhe provokimet konsiderohen të papajtueshme me frymën e Kodit të Etikës.
Të mirëmbajmë auditorët e mësimit si dhe ambientet e tjera brenda dhe jashtë godinës së Kolegjit, duke filluar nga respektimi i higjienës, mirëmbajtja dhe përdorimi me kujdes i mjeteve dhe pajisjeve që kemi në përdorim.
Të mos shfrytëzojmë pasurinë e institucionit për përfitime apo përdorime personale.
Të manifestojmë ndershmëri në qëndrimin ndaj procesit mësimor. Kopjimi apo mashtrimi, në çdo formë qofshin, konsiderohen të papranueshme, të dënueshme dhe të ndëshkueshme.
Cilido nga ne, pedagog apo student, që konstaton shkelje të Kodit të Etikës – duke filluar nga sjellje të papërshtatshme, veshje të parregullta, tentativa apo veprime kopjuese, përdorim të gjuhës abuzive, përdorim të duhanit, të pijeve alkoolike e narkotike, veprime që dëmtojnë mjetet dhe pajisjet e auditorëve dhe ambienteve të tjera në Fakultet, ose shfaqje të sjelljeve të tjera të pahijshme – duhet ta ndjejë si detyrim dhe si përgjegjësi të lartë civile për të informuar organet drejtuese të Kolegjit.
T’i respektojmë dhe të angazhohemi ndaj studentëve
Pedagogu e mat rezultatin e punës së tij me arritjet dhe progresin e studentëve. Njëherësh, ai duhet të besojë në vlerat dhe dinjitetin e studentëve dhe të garantojë shanse e mundësi të barabarta për edukim.
Për këtë, pedagogu duhet:
Të punojë për të nxitur e motivuar te studentët dëshirën për punë dhe frymën e punës në grup.
Të inkurajojë studentët të punojnë në mënyrë të pavarur, të drejtojnë pyetje dhe të debatojnë në bashkëbisedimet gjatë orëve praktike, por edhe jashtë tyre.
Të zotërojë mirë lëndën që zhvillon dhe t’i prezantojë dijet me nivel pedagogjik e shkencor te studentët, në përputhje me programin e lëndës.
Të respektojë integritetin e studentëve dhe të ndikojë tek ata përmes kritikës konstruktive.
Të mos kërkojë dhe as të pranojë përfitime personale, të çdo natyre qofshin, nga studentët apo prindërit e tyre.
Sjelljet që përbëjnë subjekt të masave ndëshkimore me karakter etik dhe disiplinor:
Veprimet e pandershme ku përfshihen mashtrime, falsifikime e të tjera të këtij lloji.
Kërcënimet, dëmtimet fizike apo forma të tjera që përbëjnë rrezik për jetën e anëtarëve të komunitetit të studentëve apo të të tjerëve.
Dhënia e informacioneve të rreme, duke përfshirë ato që lidhen me identitetin e personit, si dhe mosdhënia e informacioneve personelit të Kolegjit, të cilat kërkohen në funksion të detyrës së tyre.
Kryerja e akteve që shkaktojnë apo që sjellin deklarime të pavërteta, të cilat lidhen me paralajmërime për rreziqe, kërcënime për vënie zjarri, shpërthime të lëndëve eksplozive apo raste të tjera emergjente.
Falsifikime, modifikime të paautorizuara ose përdorime abuzive të dokumenteve.
Hyrja e personave të paautorizuar në Fakultet, të cilët shfrytëzojnë, paraqesin dhe përdorin dokumente të Kolegjit si regjistra, programe kompjuterike apo dokumente të tjera.
Keqpërdorimi, vjedhja, përvetësimi, shkatërrimi, dëmtimi apo përdorimi i paautorizuar i pasurisë së Kolegjit dhe mjediseve përkatëse.
Shkelja e rregullave të Kolegjit lidhur me përdorimin e duhanit dhe pijeve alkoolike; zotërimi i tyre, konsumi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar.
Zotërimi, përdorimi, shpërndarja apo shitja e substancave ilegale (drogës), të cilat përbëjnë shkelje të ligjit.