Dekanët

Prof. Dr. Abdyl Sinani – Drejtor i Kolegjit Profesional të Lartë

Prof. Dr. Abdyl Sinani është një personalitet i shquar i shkencave të Ushqimit dhe Teknologjisë Ushqimore dhe është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Tiranës për Kimi Industriale. Ka marrë gradën “Kandidat i Shkencave” (Doktor) më 1983, titullin shkencor “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” (Docent) më 1992, titullin “Mjeshtër Kërkimesh” (Profesor i Asociuar) më 1995 dhe titullin “Profesor” më 2004. Është autor i shumë teksteve mësimore si: Kimia e Teknologjisë Ushqimore, Merceologjia ushqimore, Teknologjia e blojës së drithërave, Teknologjia e ruajtjes dhe përpunimit të drithërave, etj. Autor i shumë monografive dhe artikujve shkencorë si: Drithi si lëndë e parë për industrinë, Çembrionizimi i misrit, Bazat teorike të ndërtimit të diagramave të blojës, etj. Bashkëautor i disa studimeve me vlerë, si Ligjshmëria dhe kodeksi ushqimor, Studimi i cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore të prodhuara në vend, etj.

...Është hartues i disa programeve lëndësh, pjesëmarrës dhe referues në disa konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit, drejtues dhe pjesëmarrës në mjaft projekte dhe studime të rëndësishme në fushën e teknologjisë ushqimore. Prof. Dr. Abdyl Sinani ka punuar si specialist, drejtor, zëvendësministër në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore dhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit. Nga viti 1993–1998 ka qenë këshilltar i Kryeministrit. Drejton biznes privat dhe është anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Kimiko-Teknologjik, anëtar i Kryesisë së Unionit të Dhomave të Industrisë së Shqipërisë dhe pedagog i jashtëm pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe në Universitetin e Tetovës, Maqedonia e Veriut. Mban gradën shkencore “Doktor” dhe titullin akademik “Profesor”.

Prof. As. Dr. Enida Bozheku – Dekane, Fakulteti i Drejtësisë

Prof. As. Dr. Enida Bozheku ka marrë titullin Profesore e Asociuar pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti i së Drejtës dhe Procedurës Penale, viti 2023; titullin Doktor i Shkencave në të Drejtë dhe Procedurë Penale pranë Departamentit të Studimeve Penalistike, Filozofiko–Juridike, Kanoniste, Fakulteti Juridik, Universiteti “Sapienza” Romë (Itali), viti 2014; titullin Doktor i Shkencave në Studime Politike pranë Departamentit të Studimeve Politike, Fakulteti i Shkencave Politike, Sociologjisë dhe Komunikimit, Universiteti “Sapienza” Romë (Itali), viti 2020. Ka kryer studimet postuniversitare specializuese të nivelit të dytë në “Të Drejtë Tregtare Ndërkombëtare” pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti “Sapienza” Romë (Itali), viti 2009. Gjithashtu, ka kryer studime specializimi në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore pranë Institutit të Kërkimeve Sociale dhe Formimit Menaxherial, Romë (Itali), viti 2008.

...Prej muajit dhjetor 2021 deri në shtator 2023 ka qenë Drejtuesja e Departamentit të Së Drejtës Publike dhe Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, Kolegji Universitar “Qiriazi”, Tiranë, Shqipëri dhe lektore në lëndën e së Drejtës dhe Procedurës Penale. Prej vitit 2015 vazhdon të jetë lektore e jashtme pranë Universitetit Telematik “eCampus”, Romë (Itali), në lëndën e së Drejtës dhe Procedurës Penale. Ka qenë pedagoge e jashtme pranë Universitetit Telematik “Pegaso”, Romë (Itali), në lëndën e së Drejtës dhe Procedurës Penale (2010), si dhe pranë Fakultetit Juridik – Universiteti i Tiranës (viti 2015). Prej vitit 2009 ushtron rregullisht profesionin e avokatit si në Romë (Itali), ashtu edhe në Tiranë (Shqipëri). Prej vitit 2010 është anëtare e AIDP – “International Association of Penal Law”, me qendër në Sirakuza, Itali; anëtare e “Rotary Club International Tirana”, pjesë e “Rotary International”, Illinois, USA; dhe anëtare e CESIAL “Centro Studi Alta Formazione Italo–Albanese” pranë CEMAS “Centro Interdipartimentale per la Ricerca Scientifica e la Cooperazione con l’Eurasia, il Mediterraneo e l’Africa Subsahariana” të Universitetit “Sapienza”, Romë, Itali. Është autore e dhjetëra artikujve shkencorë–juridikë dhe publicistikë, si dhe e tre monografive shkencore me tituj: Deontologjia e Profesionit të Avokatit (2014), Gjykimi i Shkurtuar. Profile doktrinare interpretuese (2016) dhe Linja interpretuese të normës juridike. Ligji, struktura dhe nënstruktura (2017).

Prof. Dr. Vejsel Rizvanolli – Dekan, Fakulteti i Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit

Prof. Dr. Vejsel Rizvanolli ka një përvojë të gjatë akademike, mësimdhënëse dhe veprimtari kërkimore–shkencore në Universitetin e Sporteve, Tiranë. Është autor tekstesh mësimore dhe monografish në fushën e edukimit dhe sporteve. Ka marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm projektesh të rëndësishme si drejtues, koordinator dhe partner me financime europiane, me fokus zhvillimin e sporteve në tërësi dhe atyre universitare në veçanti. Për vite me radhë ka qenë Drejtor i ILKF “Vojo Kushi” dhe drejtues i strukturave kryesore të Universitetit të Sporteve. Është kontribues kryesor në riorganizimin dhe transformimin e ILKF “Vojo Kushi” në statusin aktual “Universiteti Publik i Sporteve”, Tiranë. Në vitet 2008–2014 është zgjedhur Rektor i këtij universiteti. Në vitet 1994–1996 ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar, në pozicionin e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke dhënë një kontribut të veçantë në hartimin për herë të parë të Ligjit të Sportit, në vitin 1996.

...Prof. Dr. Vejsel Rizvanolli ka një karrierë të shkëlqyer sportive, me angazhime dhe kontribute të spikatura në fushën e sportit si: sportist i ekipit të Tiranës dhe i skuadrës përfaqësuese shqiptare të volejbollit; president i Federatës Shqiptare të Volejbollit; anëtar i Këshillit Kombëtar të Sportit; anëtar i Komitetit Ekzekutiv Olimpik Shqiptar, si dhe anëtar e kryetar i disa bordeve dhe komisioneve sportive në kuadrin e Komitetit Olimpik Shqiptar. Mban gradën shkencore “Doktor” dhe titullin akademik “Profesor”.

Prof. Dr. Halit Xhafa – Dekan, Fakulteti i Ekonomisë

Prof. Dr. Halit Xhafa ka një përvojë të gjatë akademike, në mësimdhënie dhe në veprimtarinë kërkimore–shkencore në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës (UT) dhe në disa universitete të tjera publike e private, brenda dhe jashtë vendit. Është autor tekstesh universitare në fushën e financave si: Drejtim Financiar; Drejtim Financiar Ndërkombëtar; Drejtim i Organizatave Publike; si dhe Analiza e Pasqyrave Financiare. Ka botuar edhe një sërë tekstesh për shkollat e mesme ekonomike. Është kontribues në hartimin e planeve të reja mësimore, në disiplina bashkëkohore në fushën e financës, në certifikimin e universiteteve apo programeve të reja në universitete të ndryshme në shkallë vendi. Ka një numër të konsiderueshëm artikujsh, referatesh, kumtesash dhe pjesëmarrjesh në aktivitete shkencore e konferenca, në nivel lokal e ndërkombëtar, si dhe në disa studime shkencore në fushën e financës dhe bankës.

...Ai ka udhëhequr rreth 20 disertantë për gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe po ashtu një numër të konsiderueshëm temash diplome në nivelet Bachelor e Master. Pas vitit 1990 ka kryer specializime dhe kualifikime në universitete të ndryshme në SHBA, Angli, Gjermani, Greqi, etj. Për vite me radhë ka qenë drejtues i SIFE të UT, aktivitet studentor për promovimin e sipërmarrjeve me rezultate të rëndësishme, deri fitues në konkurime kombëtare, europiane e botërore, duke fituar tituj dhe trofe në këto konkurime. Prof. Dr. Halit Xhafa ka pasur dhe ka kontribute e angazhime aktive, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, në borde të bankave të nivelit të dytë dhe të ndërmarrjeve të ndryshme publike, si dhe si drejtor drejtorie në Ministrinë e Financave, etj. Mban gradën shkencore “Doktor” dhe titullin akademik “Profesor”.