Sigurimi i Cilësisë dhe Akreditimi

Kolegji Universitar “Qiriazi” është përgjegjës për hartimin e politikave dhe procedurave për sigurimin e brendshëm të cilësisë. Për kryerjen e kësaj detyre, Kolegji Universitar “Qiriazi” ka ngritur një strukturë më vete në rang institucioni, që quhet Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NJSBC), me përbërje prej pesë anëtarësh:
a) Katër anëtarë janë staf akademik i punësuar me kohë të plotë dhe nuk mbajnë funksione drejtuese;
b) Një anëtar është student i rekomanduar nga Këshilli Studentor i institucionit.

Kandidaturat përzgjidhen nga Rektori, duke u konsultuar me strukturat nga vijnë ato. Miratimi i anëtarëve të NJSBC dhe i kryetarit të saj bëhet nga Senati Akademik.

Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë ka autonomi operative dhe akses në të gjitha të dhënat e institucionit. Kjo njësi është në varësi direkte të Rektorit, dhe përgjigjet para tij dhe Senatit Akademik për përmbushjen e detyrës.

Njësia e Sigurimit të Cilësisë vlerëson periodikisht rezultatet e veprimtarive mësimore dhe kërkimore-shkencore. Në fund të çdo semestri apo para sezonit të provimeve, NJSBC organizon pyetësorin studentor për cilësinë e mësimdhënies për lëndët e çdo programi studimi.

Njësia e Sigurimit të Cilësisë kryen studime gjurmuese për të vlerësuar ecurinë e punësimit të studentëve dhe efikasitetin e programeve të ofruara nga Kolegji Universitar “Qiriazi”. Standardet për sigurimin e cilësisë hartohen nga Kolegji Universitar “Qiriazi”, në përputhje me Kodin e Cilësisë. Raportet e vlerësimeve, të kryera nga Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë në institucion, përdoren edhe si burim për vlerësimin e jashtëm dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë.

Bazë për proceset dhe procedurat e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë është dokumenti i Kodit të Cilësisë. Ai përcakton standardet shtetërore të cilësisë, të detyrueshme për zbatim prej çdo institucioni të arsimit të lartë, përfshirë edhe Kolegjit Universitar “Qiriazi”. Kodi i Cilësisë është përgjegjësi dhe detyrë njëherazi për t’u hartuar nga ASCAL dhe për t’u certifikuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kolegji Universitar “Qiriazi” i nënshtrohet vlerësimit dhe akreditimit institucional, si dhe çdo programi studimi që ofron, në afatet e parashikuara nga ligji, si edhe riakreditimeve brenda afatit kohor të vlefshmërisë së tyre, konkretisht për jo më shumë se gjashtë vjet.

Kolegji Universitar “Qiriazi” merr përsipër të përballojë shpenzimet për vlerësimin e jashtëm të cilësisë, si edhe për akreditimin e institucionit dhe të çdo programi studimi që ofron, sipas tarifave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kontrolli dhe auditimi i jashtëm i Kolegjit Universitar “Qiriazi” kryhet nga auditues të përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për arsimin. Kontrolli dhe auditimi i brendshëm i Kolegjit Universitar “Qiriazi” kryhet nga Zyra e Auditimit, e cila është një strukturë më vete që funksionon në nivel institucioni. Funksionimi i Zyrës së Auditimit bëhet në përputhje me rregulloren e Kolegjit Universitar “Qiriazi”.

Apliko Tani