Përvjetori i Artë:
Symposium historiko-shkencor me rastin e përvjetorit të themelimit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”.
Me rastin e 131 vjetorit të themelimit dhe me rastin e 100 vjetorit të riçeljes së Institutit “Kyrias” (sot Kolegji Universitar “Qiriazi”), më 22 Nëntor 2022, Senati i këtij Kolegji, organizon: “Dita e Përvjetorit të Artë”.
Kolegji Universitar Qiriazi i ka fillimet në tetor të vitit 1891 në qytetin e Korçës. Ai së pari u çel me emrin e njohur si “Shkolla e Vashave”, për të vijuar pa ndërprerje për 22 vjet me radhë, deri në vitin 1913. Në atë kohë ishte shkolla e vetme në gjuhën shqipe që mbijetoi falë kontributit të familjes Qiriazi: Gjerasim Qiriazit dhe dy motrave të tij, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe më vonë edhe të rilindasit Kristo Dako. Përveç mësimdhënies dhe arsimimit të qindra vajzave, që u ulën në ato banga, shkolla Kyrias u bë edhe qendër e veprimtarive patriotike dhe e rezistencës antiosmane. Rilindasit shqiptarë e mbiquajtën këtë shkollë si “Foleja Kombëtare”; të huajt që e vizituan, e emërtuan atë “Drita e Fanarit të Shqipërisë”.
Instituti Kyrias asht Tempulli i Shenjtë – shkruante Asdreni. Ndërsa një intelektual i kohës e cilësonte si “Altar kombëtar i shqiptarizmës”. Instituti “Kyrias” gjatë të gjithë jetës së tij arsimore, iu përkushtua arsimimit të femrave. Arritjet e tij qenë të mrekullueshme dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në emancipimin e gruas shqiptare, që deri atëhere as që mendohej se një ditë do të kishte të drejtë të ulej në bangat e shkollës. “Instituti përparoi, thoshte një vëzhguese e huaj: “Nga një grusht vajzash të mbuluara me perçe, në një trupë studentore-shembuj të shkëlqyer të femrës së re shqiptare”.
Instituti Kyrias qysh në themelim në Korçë dhe në vijimësi kur u riçel në Tiranë, demonstroi formën amerikane të programeve e të drejtimit të shkollës. Këtë fakt e kanë theksuar edhe drejtues të atëhershëm të Ministrisë së Arsimit. Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Kristo Floqi, Pandeli Evangjeli, Kristo Frashëri e shumë personalitete të tjera e vlerësuan Shkollën dhe Institutin Kyrias për kontributin që dha dhe rrezatimin që reflektoi në kulturën dhe në arsimin shqiptar.
Përveç simpoziumit historiko-shkencor që do të zhvillohet në dy panele, në ditën e festimeve të këtij përvjetori përfshihet edhe paraqitja e një botimi kushtuar këtij institucioni, një dokumentar historik, afishimi i një ekspozite fotografike ku pasqyrohet historia e Kolegjit universitar në vite dhe aktivitete të tjera.
Referatet e simpoziumit do të përfshijnë tema të ndryshme që kanë lidhje me të djeshmen dhe të sotmen e veprimtarisë mësimore dhe akademike-shkencore të shkollës e Institutit Kyrias deri te Kolegji Universitar Qiriazi.
Për Kolegjin Universitar “Qiriazi”, 22 Nëntori është një ditë e shënuar feste. Ne e kemi pagëzuar këtë ditë “Përvjetori i Artë”, të bindur se universitetet e marrin këtë shkëlqim vetëm kur ato e kalojnë shekullin.