Shqip
Shqip

Laboratorët Shkencorë në Kolegjin Universitar “Qiriazi”

Laboratori i Teknologjisë Ushqimore “Abdyl Sinani”

Laboratori i Teknologjisë Ushqimore “Abdyl Sinani” shërben si një hapësirë praktike për zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e përpunimit dhe sigurisë ushqimore. Ai mundëson realizimin e analizave laboratorike, proceseve të përpunimit dhe testimit të cilësisë së produkteve ushqimore, duke mbështetur procesin mësimor dhe kërkimor. Përmes aktiviteteve praktike, studentët përvetësojnë njohuri mbi teknologjitë ushqimore, kontrollin e cilësisë dhe standardet e sigurisë, në përputhje me kërkesat e tregut dhe industrisë. Laboratori mban emrin e Prof. Dr. Abdyl Sinanit, një personalitet i shquar në fushën e shkencave dhe teknologjisë ushqimore, njëherazi Drejtor i Kolegjit Profesional të Lartë. Me një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore, Prof. Sinani ka kontribuar në zhvillimin e kësaj fushe në Shqipëri, duke qenë autor i teksteve universitare dhe studimeve të rëndësishme mbi teknologjinë dhe përpunimin e produkteve ushqimore. Emërtimi i laboratorit në nder të tij pasqyron vlerësimin institucional për kontributet e shquara në arsim dhe kërkimin shkencor, si dhe synimin për të zhvilluar më tej formimin praktik dhe profesional të studentëve në këtë fushë.

Laboratori i Teknologjisë së Informacionit

Laboratori i Teknologjisë së Informacionit mbështet procesin mësimor dhe kërkimor përmes përdorimit të teknologjive digjitale dhe aplikimeve bashkëkohore. Ai u mundëson studentëve zhvillimin e aftësive praktike, duke forcuar lidhjen ndërmjet njohurive teorike dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Laboratori i Shkencave të Aplikuara dhe Kontabilitetit

Laboratori i Shkencave të Aplikuara dhe Kontabilitetit shërben si një hapësirë praktike për zhvillimin e aftësive analitike dhe profesionale në fushat e shkencave të aplikuara dhe kontabilitetit. Laboratori mbështet studentët në përvetësimin e metodave bashkëkohore të analizës dhe raportimit financiar, duke i përgatitur për kërkesat e tregut të punës.

Kabineti i Hoteleri-Turizmit “Kristo Dako”

Kabineti i Hoteleri-Turizmit “Kristo Dako” ofron një mjedis të dedikuar për formimin praktik në sektorin e turizmit dhe shërbimeve. Përmes aktiviteteve simuluese dhe trajnimeve profesionale, kabineti mbështet zhvillimin e kompetencave të studentëve në menaxhimin dhe organizimin e shërbimeve turistike dhe hoteliere. Emërtimi i kabinetit mban emrin e Kristo Dakos, një figurë e rëndësishme e Arsimit dhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ish-Ministër i Arsimit në qeverinë e kryesuar nga Hasan Prishtina (7 dhjetor 1921 – 12 dhjetor 1921), si dhe një nga themeluesit e shkollës, e njohur për kontributet në zhvillimin e arsimit të vajzave dhe grave. Ky emërtim pasqyron lidhjen e institucionit me traditën arsimore dhe vlerat historike mbi të cilat mbështetet zhvillimi i tij.

Klinika Ligjore “Qiriazi”

Klinika Ligjore “Qiriazi” është një nismë akademike dhe praktike që angazhon studentët e Fakultetit të Drejtësisë në veprimtari formuese dhe kërkimore në fushën juridike. Ajo ofron një platformë mësimore ku studentët marrin pjesë në simulime gjyqësore, projekte kërkimore dhe aktivitete trajnuese, si dhe kontribuojnë në ofrimin e konsulencës ligjore falas për shtresat në nevojë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, Klinika synon të forcojë lidhjen midis teorisë dhe praktikës, të nxisë kërkimin shkencor dhe të promovojë angazhimin social të studentëve dhe institucionit.

 

 

Apliko Tani