Klinika Ligjore “Qiriazi” është një nismë praktike dhe akademike që synon angazhimin e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në veprimtari konkrete me karakter formues dhe kërkimor në fushën juridike.
Qëllimi i saj është të ofrojë një platformë praktike mësimore, përmes së cilës studentët marrin pjesë në simulime gjyqësore, seminare trajnuese, projekte kërkimore dhe ofrojnë konsulencë ligjore falas për shtresat në nevojë.
Të gjithë studentët e programit të drejtësisë kanë mundësinë të jenë pjesë aktive e Klinikës Ligjore dhe Kërkimore “Qiriazi”.
Aktivitetet dhe drejtimet kryesore të Klinikës Ligjore përfshijnë:
-
Organizimin e simulimeve gjyqësore në fushën penale, civile dhe administrative, në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rasteve tregtare, përmes analizës së vendimeve më interesante të gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare.
-
Simulime me ndërmjetësim në fushën e të drejtës tregtare, të biznesit, të mbrojtjes së konsumatorit dhe të konkurrencës.
-
Studime të thelluara mbi funksionimin dhe veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, të sistemit të shërbimeve juridike, si dhe të qeverisjes qendrore dhe vendore në Republikën e Shqipërisë dhe më gjerë.
-
Nxitjen e kërkimit shkencor dhe profesional në fushat e: avokatisë, noterisë, ndërmjetësimit, gjyqësorit, përmbarimit dhe jurisprudencës në përgjithësi.
-
Ndërtimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me studiues vendas dhe ndërkombëtarë që merren me kërkimin në fushën e të drejtës.
-
Ofrimin e konsulencës ligjore falas për individët dhe komunitetet në nevojë, si pjesë e angazhimit social të universitetit.
-
Botimin e artikujve, analizave dhe referateve shkencore në revistën juridike të dedikuar të fakultetit, “Juris”, si dhe publikimin e veprave të pedagogëve dhe studentëve të drejtësisë.

