Shqip
Shqip

Fakulteti i Ekonomisë

Fakulteti i Ekonomisë është mbështetur në Ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, në Statutin e Institucionit, në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe në praktikën e deritanishme të studimeve universitare.

Fakulteti i Ekonomisë është njësi akademike kryesore që:

  • Bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe shërbimet ndaj të tretëve.

  • Mundëson formimin arsimor, profesional dhe shkencor në fushën e menaxhimit të biznesit dhe financës.

  • Ofron programe studimore të Ciklit të Parë dhe Ciklit të Dytë të studimeve, në përfundimin e të cilave i pajis studentët me diplomë.

Studimet në FE synojnë arsimimin profesional dhe kualifikimin shkencor të studentëve në fushën e ekonomisë, më konkretisht në fushën e menaxhimit të ndërmarrjeve, financës, kontabilitetit, dizenjimit dhe përdorimit të programeve informatike në fushën e ekonomisë dhe biznesit.

Studimet në Fakultetin e Ekonomisë synojnë arsimimin profesional dhe kualifikimin shkencor të studentëve nëpërmjet integrimit të mësimit me kërkimin. Fakulteti i Ekonomisë ofron programe studimi në fushat e shkencës së Menaxhimit të Biznesit, të Financës, Menaxhimit të Hoteleri-Turizmit dhe Informatikës Ekonomike e Biznesit.

Zhvillimi i programeve të reja të studimit bëhet në përshtatje me nevojat e shoqërisë, kushtet ekzistuese dhe perspektivat e zhvillimit të vendit.

Programet e studimit universitar organizohen në dy nivele të njëpasnjëshme: në Ciklin e Parë dhe në Ciklin e Dytë të studimit.

Diplomimi në të dy nivelet e studimeve universitare siguron formimin e specialistëve të aftë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve teknike, sipas fushave. Programet e studimeve në Fakultetin e Ekonomisë u referohen arritjeve teorike dhe praktike të shkencave në përgjithësi dhe, veçanërisht, shkencave ekonomike, të menaxhimit dhe informatikës ekonomike e biznesit, të cilat synojnë nivel të krahasueshëm me diplomat e fakulteteve analoge brenda e jashtë vendit.

Fakulteti i Ekonomisë ofron programe studimesh të akredituara, të organizuara në lëndë/module dhe të vlerësuara në kredite sipas Sistemit Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Shuma e krediteve të grumbulluara gjatë një viti, nga një student me kohë të plotë, është 60 kredite.

Programet e studimeve hartohen dhe miratohen nga departamentet, diskutohen në dekanat dhe miratohen nga Senati Akademik i Kolegjit.

Fakulteti i Ekonomisë shpall publikisht programet e akredituara të studimeve që ofron qysh para fillimit të pranimeve.

Programet e studimeve të Ciklit të Parë dhe Ciklit të Dytë përmbajnë elementet e mëposhtme:

  • Të dhëna të përgjithshme për programin, formën dhe objektivat kryesore, planin e tij mësimor të shoqëruar me kreditet e detyrueshme të studimeve;

  • Klasifikimin e programit të studimit, që bëhet i zbatueshëm me krijimin e kuadrit shtetëror të kualifikimeve, si dhe kushtet e pranimeve në programin e studimeve;

  • Metodat e vlerësimit të studentëve dhe kushtet për përparim në program;

  • Kushtet për transferime ndërmjet programeve dhe kushtet për përfundimin e pjesshëm të programit, nëse ai e parashikon këtë gjë.

 

Rregullore Departamenti Menaxhim Biznesi

Rregullore Departameni i Financës

Rregullore Fakulteti Ekonomik

Rregullore QKSH Fakulteti i Ekonomisë

Apliko Tani