Historiku

Kolegji universitar “Qiriazi” i ka rrënjët e themelimit në vitin 1922, në Kodër Kamëz, në këtë vend që është edhe sot, pas 100 vitesh…

Në fillimet e shek. të XX-të, Kodër Kamza hyri në historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare si një vatër e rëndësishme dhe me një jetë të pasur intensive, që njohu vetëm zhvillim e thellim.

Historia fillon me “Shkollën e Dakës”, (një emërtim popullor që nuk u shua as gjatë periudhës së komunizmit, duke eklipsuar edhe emrin e ri me të cilin thirrej institucioni i lartë arsimor i ngritur në këto themele) ose e emërtuar zyrtarisht, në fillesat e veta, “Lycee Internat Kyrias”. Ky institucion, i njohur edhe si “Instituti femnuer Kyrias- (Qiriazi)”, apo edhe si “Instituti Kyrias-Dako”, në të vërtet ishte vijim i shkollës së vashave, ose Kolegjit amerikan, të hapur në Korçë, në vitin 1891. Shkolla quhej “Shkolla amerikane e vajzave” dhe u hap me nisiativën e Gjerasim Qiriazit, i ndihmuar gjatë të gjithë periudhës së funksionimit nga “Bordi Amerikan i Komisioneve për Misionet e Huaja”. Megjithë përndjekjet e qeverisë turke dhe kishës greke, për të ndaluar funksionimin e shkollës, ajo pati vijimësi të mirë sepse ndodhej nën administrimin dhe mbrojtjen direkte të Misionit Amerikan, i cili kishte marrëveshje me Portën e Lartë, për ushtrim të lirë të veprimtarisë. Shkolla u mbyll vetëm në korrik të vitit 1914, kur në Korçë hyri ushtria greke dhe amerikanët që punonin aty, u dëbuan.

Shkolla e Korçës u mbyll, por jehona mbeti e pashuar. Në krye të tetë viteve, çifti Dako, të sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara, me përvojën e fituar dhe nën modelin e kolegjeve amerikane, që ishin hapur pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes, duke filluar edhe me Kostandinopojën (Stambollin), themeluan në tetor të vitit 1922, në Kodër Kamëz “Institutin Kyrias-Dako”, pothuaj me statusin e një kolegji universitar. Dana Stucky, një veprimtare dhe autore amerikane, shkruan: “Instituti “Qiriazi” për vajza, që sapo ishte hapur afër Tiranës, do të nxirrte mësuese, që ishin të domosdoshme për shumë shkolla të sapoçelura shqiptare”. Publicistët e kohës do ta quanin këtë institucion “vatër e madhe e arsimimit dhe emanipimit të vajzave shqiptare”, “Foleja kombëtare” etj. Logoja e Institutit Qiriazi ishte: “Gruaja e aresume (arsimueme-shënimi ynë) – shtylla e kombit”.

Në kujtimet e saj, Parashqevi Qiriazi rrëfen edhe ndihmën e pakursyer morale e materiale që themeluesit patën nga një veprimtar tjetër amerikan: Charles  R. Crane. Industrialist dhe politikan, mik e bashkëpunëtor i presidentit Wilson, i cili ishte edhe mik i Kristo Dakos.

Instituti “Qiriazi” vijoi punë normale, pa ndërprerje vetëm në dekadën e parë të krijimit 1922-1932. Në vitin 1933, “kolegji femnuer”, si shumë shkolla të tjera private e fetare në Shqipëri, u mbyllën me ligj të parlamentit shqiptar, duke e konsideruar arsimin, kryesisht “të drejtë shtetërore”. Rihapja e këtyre institucioneve u bë tre vjet më vonë, më 1936, por tashmë në Shqipëri nuk do të kishte më rrjedhë normale të ngjarjeve dhe idealizmi e patriotizmi, nuk kishin më strehë e vend. Fashizmi, nazizmi e komunizmi, do të ngjasonin si tri pika uji, në trajtimin që do t’u bënin, në mes të tjerave objekteve private, në këtë rast të arsimit.

Me ndërpreje, Instituti Qiriazi do të vijonte aktivitetin deri në vitin 1943,kohë kur ndërtesat u zaptuan për nevoja të ushtrisë naziste dhe familja Dako-Qiriazi, edhe për shkak të një incidenti, do të internohej në Beograd… Në fillim të 1945 u kthyen gjallë dhe me shpresa, por… më mirë të mos kishin ardhur, se çfarë i priste. Tashmë godina e Kolegjit “Qiriazi” është e shtetëzuar dhe filloi të përdoret për nevoja të shtetit të ri shqiptar.

Lajmi i mirë është se ndërtesa kryesore e institutit Qiriazi nuk u shkatërrua siç u bë më vonë me shumë objekte kulturore dhe nuk iu ndryshua destinacioni i saj që kishte pasur në themelim.

Në vitet e para pas 1945 u bë shkollë për kuadro të ushtrisë partizane dhe më pas si shkollë për kuadro të partisë. Kjo deri në vitin 1949, kur në godinën kryesore të institutit  “Qiriazi”, do të ngrihej shkolla e mesme bujqësore, me katër degë: bujqësi, veterinari, zootekni dhe pyje. Në miniaturë, kjo shkollë përfaqësonte fillesat e Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, i cili u vendos në këtë godinë në vitin 1956, pesë vjet pasi ishte themeluar në Laprakë.

Për disa dekada  me radhë, godina e Institutit Qiriazi-Dako, përfaqësonte korpusin kryesor të Institutit të Lartë Bujqësor (më vonë të Universitetit Bujqësor): fillimisht si godinë e vetme për të gjitha fakultetet dhe më vonë si Fakulteti i Pyjeve. Megjithë ndryshimin e tabelave, asnjëherë nuk u fshi nga kujtesa “Shkolla e Dakës në Kodër Kamëz”. Natyrisht jo zyrtarisht, por të gjithë brezat që kaluan në auditoret e Institutit Bujqësor, thirreshin: “Të shkollës së Dakës”.

Në vitin 2006, godina e Institutit “Qiriazi”, administrohej nga trashëgimtarët e pronarëve të saj: Robert Dako, nipi i Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazit (Dako), rihapi në këtë godinë Shkollën e Lartë Universitare Jo Publike “Sevasti e Parashqevi Qiriazi”. Shkolla u konceptua si një institucion i arsimit të lartë që kombinonte mësimdhënien me veprimtarinë dhe kërkimin shkencor dhe ofronte studime në   6 programe, 3 nga të cilat ishin Bachelor dhe 3 në Ciklin e Dytë, përkatësisht në  Drejtësi dhe Ekonomi. Në vitin 2013, aktiviteti i Shkollës pezullohet, kryesisht edhe për mungesë të dashamirësisë prej organeve shtetërore të vartësisë.

Në vitin 2016, pas një pune paraprake voluminoze njëvjeçare, për përmbushjen e standarteve, ky institucion rihapet me emërtim dhe me pronar të ri: “Kolegji Universitar Qiriazi”, si trashëgimtare e Institutit  Qiriazi, u rijetësua nga Prof. Dr. Gjokë Uldedaj dhe familja e tij, duke e ridimensionuar këtë institucion në parametrat e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe me orientim nga parimet amerikane të menaxhimit dhe funksionimit akademik e institucional, orientime të cilat  kanë qenë qysh në themel, në vitin 1922.

Sot (2022), në krye të 100 viteve, Kolegji Universitar “Qiriazi” ka një fytyrë dhe përmbajtje të re. Është rritur në sasi dhe cilësi. Ka tre fakultete: Ekonomisë, Drejtësisë dhe fakulteti i Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit si dhe një Kolegj Profesional të Lartë: Teknologji Ushqimore, Teknologji Informacioni dhe Hoteleri-Turizëm. Ka gjithësej 13 programe studimi: 5 diploma profesionale, 5 diploma bachelor, 1 diplomë për studime të integruara dhe 2 diploma për master shkencor.

Misioni i Universitetit Qiriazi mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimit të këtij misioni është kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe vënia në epiqendër të vëmendjes e studentit dhe e të ardhmes së tij.

Nga 2016- 2022, “Kolegji  Universitar Qiriazi”, ka kaluar me sukses dy akreditime institucionale dhe janë të akredituara të gjitha programet e studimit.