Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ i Kolegji Universitar “Qiriazi”, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij.
Bordi i Administrimit përbëhet nga pesë anëtarë të punësuar me kohë të pjesshme. Anëtarët e përzgjedhur kanë mandat pesëvjeçar, me këtë përbërje:
a) dy anëtarë nga stafi akademik dhe ndihmës-akademik, që përzgjidhen nga Senati Akademik, prej listave të propozuara nga njësitë kryesore;
b) tre anëtarë nga jashtë institucionit, nga bota e biznesit, që përzgjidhen dhe emërohen nga asambleja e ortakëve të shoqërisë themeluese të Kolegji Universitart “Qiriazi”.
Kryetari i Bordit të Administrimit zgjidhet, prej anëtarëve të përzgjedhur, në mbledhjen e parë të tyre. Rregullorja e funksionimit të Bordit të Administrimit hartohet nga vetë Bordi i Administrimit dhe miratohet nga asambleja e ortakëve të shoqërisë themeluese të Kolegji Universitart “Qiriazi”.
Bordi i Administrimit cakton/miraton edhe një sekretar, i cili nuk është anëtar i këtij bordi. Ai është pjesë e stafit të punësuar me kohë të plotë në Kolegji Universitarn “Qiriazi”.
Autoritetet drejtuese (rektori, drejtuesit e njësive kryesore, drejtuesit e njësive bazë dhe administratorët) nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Administrimit. Autoritete drejtuese të caktuara mund të ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e Bordit të Administrimit, sipas problematikave për sektorët që mbulojnë.
Bordi i Administrimit ka këto funksione kryesore:
a) garanton qëndrueshmërinë financiare të institucionit dhe përmbushjen e misionit të tij;
b) jep mendim për projekt-rregulloren e Kolegji Universitart “Qiriazi” dhe miraton rregulloren financiare të tij;
c) përcakton rregullat për shpërndarjen e të ardhurave që siguron institucioni nga ushtrimi i veprimtarive të tij, si edhe mbikëqyr përdorimin e burimeve të financimit;
d) është përgjegjës për caktimin e kritereve e të procedurave për punësimin e administratorëve dhe personelit administrativ, mbështetur në aktet e institucionit;
e) emëron dhe shkarkon administratorin e Kolegji Universitart “Qiriazi”;
f) miraton paraprakisht statutin e institucionit, para se t’i përcillet Senatit Akademik;
g) miraton raportin e detajuar vjetor të veprimtarisë së institucionit, të hartuar nga Rektorati.