Departamenti i së Drejtës Civile dhe Tregtare (DDCT) është një nga njësitë bazë në Fakultetin e Drejtësisë. Ai është njësi bazë mësimore-kërkimore që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore përkatëse. DDCT ndjek dhe mbikëqyr mbarëvajtjen e procesit mësimor për programet që ai mbulon.
Misioni i DDCT-së është të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të ofrojë dije përmes mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve. Përmes programeve mësimore bashkëkohore, DDCT synon të formojë specialistë të lartë dhe të kualifikuar në fushën e drejtësisë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj, në përgjigje dhe në përshtatje me tregun e punës në Shqipëri dhe në vende të tjera perëndimore.
Misioni i DDCT-së lidhet edhe me garantimin e cilësisë dhe sigurimin e standardeve akademike për të gjitha programet e studimit; me nxitjen, mbështetjen dhe zhvillimin e aktivitetit shkencor të pedagogëve dhe studentëve; ofrimin e mundësive për edukim gjatë gjithë jetës; kryerjen e shërbimeve ndaj të tretëve; bashkëpunimin me departamente të tjera brenda dhe jashtë vendit; ndërkombëtarizimin, kryesisht përmes veprimtarisë shkencore, pjesëmarrjes në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, mobiliteteve për stafin dhe studentët; si dhe përshtatjen e programeve ndaj kërkesave të kohës.
Objektivat e DDCT-së lidhen me objektivat dhe veprimtaritë formuese të programeve të studimit që ai ofron. Departamenti synon gjithashtu:
a) të nxisë dhe të koordinojë aktivitetet mësimore-kërkimore edhe midis departamenteve, pa cenuar lirinë akademike të personelit akademik;
b) të zhvillojë aktivitete kërkimore, shërbime dhe trajnime për të tretë;
c) të parashtrojë prioritetet e veta të zhvillimit në rrafshin e gjerë institucional;
d) të kontribuojë në formulimin e projekteve didaktike të fakultetit;
e) të bashkëpunojë edhe me departamente të tjera për krijimin e programeve të reja të studimit, në përshtatje dhe në përgjigje të kërkesave të tregut të punës, duke saktësuar kontributin e secilit departament pjesëmarrës në programin e ri (ngarkesa mësimore, kurset, stafi akademik, format e studimit etj.).
