Universiteti “Qiriazi” organizoi Edicionin e 2-të të Panairit të Punës
Universiteti “Qiriazi” organizoi Edicionin e 2-të të Panairit të Punës, ku studentët dhe alumni patën mundësinë të njiheshin nga afër me ofertat e punësimit dhe të praktikës profesionale (internship) nga kompani të ndryshme që operojnë në fusha si: ekonomia, biznesi, hoteleria, sportet, drejtësia, teknologjia ushqimore, teknologjia e informacionit e të tjera.
Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i Universitetit “Qiriazi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe aktorëve të tregut të punës, si edhe proceset e ndërmarra nga institucioni për të lehtësuar punësimin e studentëve.
Panairi u përshëndet gjithashtu nga Nënkryetarja e Bashkisë Kamëz, znj. Rebeka Sulejmani, dhe Drejtori i Përgjithshëm i brendit prestigjioz spanjoll të hotelerisë në Shqipëri “Melia Hotels Internationals”, z. Pedro Luis Vazquez Cobos, ndër të tjerë.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit “Qiriazi”, Prof. Dr. Maksim Meço, shprehu privilegjin që ndien në drejtimin e një institucioni me histori të lavdishme dhe vizion të qartë për të ardhmen.
Gjatë panairit, kompanitë prodhuese dhe tregtuese prezantuan stendat e tyre, ku studentët patën mundësinë të vizitonin, të shkëmbenin përvoja dhe të krijonin kontakte të vlefshme për të ardhmen profesionale.
Risia e këtij viti ishte nënshkrimi i kontratave të punësimit ndërmjet “Melia Hotels Internationals” dhe studentëve të programeve Hoteleri-Turizëm dhe Menaxhim Hoteleri-Turizmi, të cilët morën pjesë në aktivitet.
Në kuadër të traditës së universitetit për të vlerësuar studentët ekselentë, Administratorja e Universitetit “Qiriazi”, znj. Roza Uldedaj, punësoi si pjesë e stafit administrativ studenten e programit Financë, Desina Maloku, e diplomuar me rezultate të larta.
Aktiviteti u përmbyll në një atmosferë festive, me një barbecue të përgatitur nga studentët e programit Hoteleri-Turizëm, të shoqëruar nga DJ, muzikë live dhe valle të realizuara nga vetë studentët e Universitetit “Qiriazi”.

