Veprimtaria shkencore e stafit akademik të Kolegjit Universitar “Qiriazi” ka njohur një zhvillim të qëndrueshëm, përfshirë publikime në revista shkencore, libra, monografi, tekste mësimore dhe kontribute në konferenca shkencore. Në rritje të vazhdueshme, këto botime reflektojnë një diversitet tematik dhe një orientim të qartë drejt konsolidimit të standardeve akademike, duke mbështetur njëkohësisht procesin mësimor dhe zhvillimin e kërkimit shkencor. Përtej dimensionit akademik, këto kontribute shërbejnë si një burim i rëndësishëm për shoqërinë, duke ofruar analiza, reflektime dhe ekspertizë profesionale mbi çështje me interes publik, si dhe duke kontribuar në formësimin e debatit shoqëror dhe në orientimin e politikave dhe praktikave në fusha të ndryshme.
Kolegji Universitar “Qiriazi” mbështet në mënyrë të qëndrueshme pjesëmarrjen e stafit akademik dhe studentëve në konferenca shkencore, duke mbuluar kostot e pjesëmarrjes dhe botimit të punimeve. Në këtë kuadër, kontributet shkencore realizohen nga një përbërje e gjerë institucionale, ku dominojnë anëtarët e stafit akademik, të plotësuar nga pjesëmarrja e autorëve të ftuar, studentëve dhe përfaqësuesve të stafit administrativ. Kjo qasje reflekton një model të integruar të zhvillimit të kërkimit shkencor, që përfshin aktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë institucionit, duke nxitur bashkëpunimin akademik, rritjen e cilësisë së prodhimit shkencor dhe përfshirjen aktive të studentëve në procesin kërkimor.
Referimet në simpoziume dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare përbëjnë një tregues të rëndësishëm të veprimtarisë kërkimore-shkencore të institucionit. Stafi akademik ka marrë pjesë në këto aktivitete me referime nga fusha të ndryshme të shkencës, si ekonomia, drejtësia, teknologjia e informacionit, turizmi, shkencat sociale, arsimi, mjedisi, bujqësia dhe shëndeti publik. Referimet janë prezantuar në konferenca ndërkombëtare të zhvilluara në vende europiane, si Italia, Franca, Hungaria, Bullgaria, Holandë, Turqia, Serbia, Çekia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe në konferenca të organizuara në Shqipëri nga universitete dhe institucione kërkimore, si në formë fizike ashtu edhe on-line. Pjesëmarrja në këto veprimtari ka kontribuar në forcimin e profilit akademik dhe shkencor të institucionit, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash, zgjerim të bashkëpunimeve ndëruniversitare dhe përfshirje në rrjete akademike ndërkombëtare. Tematikat e trajtuara reflektojnë orientimin e institucionit drejt kërkimit të aplikuar dhe trajtimit të problematikave aktuale të zhvillimit ekonomik, social dhe teknologjik, me fokus të veçantë në integrimin europian, zhvillimin e qëndrueshëm, digjitalizimin, turizmin, politikat fiskale, mbrojtjen e mjedisit dhe inovacionin në mësimdhënie. Këto veprimtari kanë ndikuar gjithashtu në forcimin e lidhjes ndërmjet kërkimit shkencor dhe procesit të mësimdhënies. Një pjesë e rëndësishme e këtyre referimeve dhe botimeve shkencore janë realizuar në bashkëautorësi me studiues dhe pedagogë nga universitete dhe institucione kërkimore të vendeve të ndryshme europiane, bashkëpunim që ka kontribuar jo vetëm në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave akademike, por edhe në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe në ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike të institucionit.
Lista e botimeve të stafit akademik të Kolegjit Universitar “Qiriazi” deri në vitin 2022
Lista e botimeve të stafit akademik të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, 2019-2024
