Shqip
Shqip

Fakulteti i Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit

Fakulteti i Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit (FESHSS) është njësi akademike kryesore që:
a) Bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe shërbimet ndaj të tretëve.
b) Mundëson formimin arsimor, profesional dhe shkencor në fushën e shkencave sociale, të edukimit dhe sporteve.
c) Ofron programe studimore të Ciklit të Parë dhe Ciklit të Dytë të studimeve, në përfundim të të cilave i pajis studentët me diplomë.

Studimet në FESHSS synojnë arsimimin profesional dhe kualifikimin shkencor të studentëve në shkencat sociale, edukimit dhe sportive, nëpërmjet integrimit të mësimit me kërkimin. Fakulteti ofron programe studimi në këto fusha, duke i zhvilluar në përshtatje me nevojat e shoqërisë, kushtet ekzistuese dhe perspektivat e zhvillimit të vendit.

Programet e studimit universitar organizohen në dy nivele të njëpasnjëshme: në Ciklin e Parë dhe në Ciklin e Dytë të studimit. FESHSS ofron programe studimesh të akredituara, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite sipas Sistemit Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Shuma e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite.

Programet e studimeve hartohen dhe miratohen nga departamentet, diskutohen në dekanat dhe miratohen nga Senati Akademik i Kolegjit. Fakulteti shpall publikisht programet e akredituara të studimeve që ofron, para fillimit të pranimeve.

Programet e studimeve të Ciklit të Parë dhe Ciklit të Dytë përmbajnë:
a) Të dhëna të përgjithshme për programin, formën dhe objektivat kryesore, planin mësimor dhe kreditet e detyrueshme të studimeve.
b) Klasifikimin e programit të studimit, të zbatueshëm me kuadrin shtetëror të kualifikimeve, si dhe kushtet e pranimeve në program.
c) Metodat e vlerësimit të studentëve dhe kushtet për përparim në program.
d) Kushtet për transferime ndërmjet programeve dhe kushtet për përfundim të pjesshëm të programit, nëse parashikohet.

Diplomimi në të dy nivelet e studimeve universitare siguron formimin e specialistëve të aftë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve teknike sipas fushave. Programet e studimeve në FESHSS u referohen arritjeve teorike dhe praktike të shkencave sociale, edukimit dhe sporteve, me synim arritjen e një niveli të krahasueshëm me diplomat e fakulteteve analoge jashtë vendit.

Apliko Tani