Në zbatim të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe vendimit nr. 46, datë 27.01.2021, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 436, datë 03.06.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë”, kriteret e pranimit në Kolegjin Universitar “Qiriazi” për vitin akademik 2026-2027 janë si më poshtë:
Kriteret e pranimit për programet e ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, programet e integruara të nivelit të dytë (Master i Shkencave) dhe programet me karakter profesional 2-vjeçar:
-
Në programet e studimit të ciklit të parë të KUQ pranohen kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm ose profesional dhe kanë ndjekur jo më pak se 12 vite shkollë në ciklet parauniversitare.
-
Pranohen edhe kandidatët që kanë marrë diplomë të shkollës së mesme jashtë vendit, me kusht që diploma të jetë ekuivalentuar nga komisioni përkatës i MAS.
Bachelor
-
Pranimi në programet “Menaxhim Biznesi”, “Financë”, “Menaxhim Hoteleri-Turizëm”, “Informatikë Ekonomike dhe Biznesi” është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të shkollës së mesme 6.5 (gjashtë pikë pesë), të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Master i Integruar i Shkencave në Drejtësi
-
Pranohen kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe plotësojnë kriterin e notës mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë).
Edukim Fizik dhe Sporte (Bachelor)
-
Pranimi është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar arsimin e mesëm.
-
Nota mesatare nuk është kriter pranimi.
-
Kriter hyrës është pjesëmarrja dhe vlerësimi pozitiv në konkursin e pranimit, që organizohet nga KUQ për këtë program.
Programet profesionale 2-vjeçare
-
“Teknologji Informacioni”, “Teknologji Ushqimore” dhe “Hoteleri-Turizëm”.
-
Pranohen kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm.
-
Nota mesatare nuk është kriter pranimi.
Kriteret e pranimit për programet e ciklit të dytë “Master i Shkencave”
-
Kandidatët duhet të kenë përfunduar një diplomë Bachelor me kohëzgjatje të paktën 3-vjeçare (180 ECTS) ose një diplomë Master Profesional në Republikën e Shqipërisë, ose ekuivalente të njohura nga MAS.
-
Për pranimin kërkohet gjithashtu njohja e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht ose spanjisht, në nivelin B1 deri në C1, sipas Udhëzimit nr. 52, datë 03.12.2015 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
