Tirane, 3 nëntor 2026
Studentët e vitit të parë të programit të studimit Teknologji Ushqimore në Kolegjin Universitar “Qiriazi” zhvilluan një vizitë studimore në Fabrikën e Miellit në Tiranë, të shoqëruar nga Prof. Abdyl Sinani.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin e proceseve të prodhimit të miellit, teknologjitë e përdorura në përpunimin e drithërave dhe funksionimin e pajisjeve industriale. Vizita shërbeu për të ilustruar lidhjen ndërmjet njohurive teorike dhe zbatimit të tyre në praktikën industriale.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj përvoje ishte njohja me fazat e përpunimit të lëndës së parë, si dhe me rëndësinë e kontrollit të cilësisë dhe respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore gjatë procesit të prodhimit.
Përmes vizitave të tilla, Kolegji Universitar “Qiriazi” synon të pasurojë përvojën mësimore të studentëve, të zhvillojë kompetencat e tyre profesionale dhe të forcojë lidhjen ndërmjet formimit akademik dhe praktikës në industrinë ushqimore.





