Me rastin e 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Edlira Çepani është e ftuar si lektore në Kolegjin Universitar “Qiriazi”, për të ndarë përvojën dhe perspektivën e saj mbi dhunën ndaj grave, mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe rolin e shoqërisë civile në parandalimin e dhunës dhe promovimin e barazisë gjinore.
Edlira Çepani është juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Aktualisht është Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”, një rrjet i grave dhe vajzave në politikë dhe vendimmarrje, nga të gjitha partitë politike (50% nga e majta dhe 50% nga e djathta), media, biznesi dhe shoqëria civile. Ky Rrjet, i pari i këtij lloji në Shqipëri, krijuar në vitin 2008, është tashmë një zë i fortë për fuqizimin e barazisë gjinore në vend. Znj. Çepani ka punuar për një kohë të gjatë për të promovuar të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, fuqizimin e të rinjve në të gjitha fushat dhe qytetet e Shqipërisë, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve, mbështetjes dhe fuqizimit ekonomik, advokimit legjislativ, fushatave ndërgjegjësuese dhe studimeve, duke investuar tek metodologjitë inovative dhe teknologjia e informacionit.
Për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore në Shqipëri, në vitin 2022 i është akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dekorata “Për merita të veçanta civile”. Në vitin 2019 është nominuar “Ambasadore e Albanian Excellence” dhe pjesë e 100 grave të suksesshme shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2017 i është akorduar tituli “Ambasadore e Paqes” nga Federata Botërore e Paqes. Gjatë punës me Rrjetin “Barazi në Vendimmarrje” në vijim të nismave dhe mekanizmave inovativë të fuqizimit të grave nëpërmjet teknologjisë së informacionit, është nominuar 2 herë në 5 finalistët e parë në rang botëror të Gem Tech Award.
Znj. Çepani është angazhuar aktivisht si trajnere dhe mentore në fusha të ndryshme, të lidhura me barazinë gjinore, lidershipin, komunikimin politik, të folurën në publik, teknologjinë e informacionit dhe aktivizmin, të drejtat e njeriut, advokacinë, qeverisjen vendore, tregun e punës, raportimin e ndjeshëm gjinor në media dhe menaxhimin e ciklit të projekteve, në nisma kombëtare dhe ndërkombëtare të mbështetura nga UN, NED, OSBE, Komisioni i BE -së, UNDP, etj. Ajo është angazhuar gjithashtu si folëse në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, politikën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Gjatë viteve të para të karrierës së saj në fushën e avokatisë ajo ka qënë pjesë e nismave ligjore dhe ekonomike me impakt për vendin ndërkohë që punën si pjesë e shoqërinë civile, e ka nisur duke kontribuar aktivisht për fuqizimin e të rinjve dhe duke qenë iniciatore e politikave dhe nismave për punësimin dhe të drejtat e të rinjve, veçanërisht në nisma gjithëpërfshirëse për procesin e “kthimit të trurit”, si themeluese dhe drejtuese për shumë vite e Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë (AS@N). Rrjeti AS@N ka qënë e para organizatë në Shqipëri që ka ndërmarrë nismën për të integruar internshipet (praktikat e punës) si eksperienca të nevojshme dhe të vlefshme për studentët dhe të rinjtë si hap i rëndësishëm i integrimit në tregun e punës. Paralelisht me angazhimin si aktiviste për të drejtat e njeriut, Edlira ka kontribuar edhe në promovimin e diplomacisë ekonomike në Shqipëri, në pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës së Konsujve të Nderit në Shqipëri. Si drejtuese e disa organizatave kombëtare e ndërkombëtare që operojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, Edlira ka kontribuar për zhvillimin dhe rindërtimin e qendrave shëndetësore dhe shkollave e kopshteve në zonat rurale në Shqipëri, si dhe është angazhuar në shumë nisma dhe fushata vullnetare për ndryshime sociale, duke ndihmuar komunitetet në nevojë, duke mbështetur nismat për mbrojtjen e mjedisit, të drejtat e kafshëve, trashëgiminë kulturore, etj.

