Shqip
Shqip

25 Nëntori në Kolegjin Universitar “Qiriazi”: Diskutim mbi dhunën ndaj gruas, kontrollin e pushtetin në marrëdhëniet intime dhe aksesin në drejtësi

Me rastin e 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kolegji Universitar “Qiriazi”, në kuadër të modulit Jean Monnet “RoLE – The Right to Education and the Rule of Law” (E drejta për arsim dhe shteti i së drejtës), të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, organizon një seminar ndërgjegjësues kushtuar dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke iu bashkuar fushatës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara dhe UN Women.  Aktiviteti synon të nxisë reflektimin kritik mbi dhunën në marrëdhëniet intime, mekanizmat e kontrollit shtrëngues, përgjegjësinë institucionale dhe garantimin e të drejtave të viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës.

Seminari synon të nxisë një diskutim kritik mbi dhunën ndaj grave, mekanizmat e kontrollit dhe dominimit në marrëdhëniet intime, përgjegjësinë e institucioneve dhe rolin e shoqërisë në mbrojtjen e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës. Në qendër të diskutimit do të jetë analiza e një rasti studimor, që trajton historinë e një gruaje shqiptare të martuar me mblesëri, e cila përballet me dhunën dhe kontrollin në marrëdhënien bashkëshortore gjatë jetës në emigracion. Rasti do të shërbejë si pikënisje për të shqyrtuar format e dhunës, kontrollin shtrëngues, varësinë ekonomike dhe sociale, vështirësitë e largimit nga marrëdhëniet abuzive dhe mekanizmat e mbrojtjes institucionale. Diskutimi do të zhvillohet përmes pyetjeve të hapura, analizës së situatave konkrete dhe shkëmbimit të përvojave profesionale. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dallimit ndërmjet konflikteve të zakonshme në çift dhe dhunës sistematike, pasojave në shëndetin mendor dhe fizik, si dhe rolit të institucioneve, profesionistëve dhe organizatave të shoqërisë civile në parandalimin e dhunës dhe garantimin e aksesit në drejtësi.

Të ftuara në aktivitet janë:

  • Edlira Çepani, juriste, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”;
  • Haxhire Kasaj, juriste
  • Marime Vladi, përfaqësuese e Bashkisë Kamëz;
  • Orjola Plaku, psikologe;
  • Arjola Hajdini, aktiviste e shoqërisë civile.

Në diskutim do të kontribuojnë Dr. Meri Kraja, Lektore e Modulit Jean Monnet “RoLE” , Fakulteti i Drejtësisë; Dr. Ida Kruti, zëvendës rektore, psikologe; Fiona Rushiti, pedagoge, Mbajtëse e Rekordit Botëror Guinness; Dr. Erjona Fusha, sociologe, Fakulteti i Ekonomisë; së bashku me studentë dhe pedagogë të Kolegjit Universitar “Qiriazi”.

Aktiviteti moderohet nga Dr. Valbona Nathanaili, Lektore e Modulit Jean Monnet “RoLE” , Fakulteti i Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sporteve dhe Prof. Asoc. Enida Bozheku, drejtuese e Jean Monnet Module “RoLE”, Dekane, Fakulteti i Drejtësisë.

Jean Monnet “RoLE – The Right to Education and the Rule of Law”

Seminari zhvillohet në kuadër të modulit Jean Monnet “RoLE – The Right to Education and the Rule of Law”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, duke lidhur ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave me edukimin për të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe përgjegjësinë institucionale.

Organizimi i këtij aktiviteti në kuadër të modulit Jean Monnet “RoLE” synon të forcojë lidhjen ndërmjet edukimit për të drejtat e njeriut, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes nga dhuna me bazë gjinore. Përmes analizës së rasteve konkrete dhe dialogut ndërmjet akademikëve, profesionistëve dhe studentëve, aktiviteti synon të promovojë një kuptim më të thellë të rolit të ligjit, institucioneve dhe edukimit në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e aksesit efektiv në drejtësi.

Agenda: Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave / Seminar Ndërgjegjësues

This will close in 0 seconds