Në kuadër të programit të studimit me karakter profesional “Kujdes Social dhe Shëndetësor”, më datë 29 prill 2026 u zhvillua një leksion i hapur me të ftuar Dr. Orges Cara, specialist në mbrojtjen e bimëve dhe biologjinë molekulare, me përvojë të gjerë akademike dhe kërkimore në Itali. Aktiviteti u organizua në kuadër të lëndës “Zhvillimi i Aftësive Komunikuese”, nën drejtimin e pedagoges Dr. Valbona Nathanaili, dhe trajtoi temën “Sfidat e përshtatjes në shoqërinë pritëse”. Gjatë leksionit u trajtuan konceptet kryesore të integrimit dhe asimilimit, duke u mbështetur në teorinë e akulturimit të John W. Berry. Diskutimi u përqendrua në procesin e përshtatjes kulturore, sfidat identitare dhe sociale me të cilat përballen individët në një shoqëri të re, si dhe strategjitë që favorizojnë një integrim të suksesshëm pa humbur identitetin kulturor. Leksioni u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi interaktiv, duke krijuar mundësi për reflektim, debat dhe shkëmbim përvojash mbi sfidat që shoqërojnë migrimin dhe jetesën në një kontekst ndërkulturor.
Kontributi i Kolegjit Universitar “Qiriazi”
Aktiviteti u organizua nga Kolegji Universitar “Qiriazi” në kuadër të përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e mësimdhënies dhe pasurimin e procesit akademik përmes angazhimit të profesionistëve me përvojë ndërkombëtare. Përvoja personale dhe profesionale e Dr. Orges Cara në Gjermani dhe Itali solli një dimension praktik të temës së trajtuar. Studentët shfaqën interes të lartë, duke ngritur pyetje mbi arsyet e zgjedhjes së tij për të ndërtuar karrierën në Itali, procesin e integrimit në një kulturë të re, sfidat e komunikimit ndërkulturor dhe ndikimin që këto përvoja kanë pasur në zhvillimin e tij profesional dhe personal. Në pjesën e prezantimit të profilit akademik, Dr. Cara ndau me studentët rrugëtimin e tij profesional, duke evidentuar studimet Bachelor në Biologji në Universitetin e Tiranës, Masterin Shkencor në Mjekësinë e Bimëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, specializimet në CIHEAM Bari në fushën e menaxhimit të integruar të dëmtuesve (IPM), si dhe studimet në Biologji Molekulare dhe doktoraturën (PhD) në Universitetin e Barit. Ky ndërveprim krijoi një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet teorisë së trajtuar në auditor dhe përvojës reale profesionale, duke nxitur mendimin kritik dhe zhvillimin e kompetencave ndërkulturore të studentëve.
Pjesëmarrja Institucionale
Në aktivitet morën pjesë studentët e programit të studimit “Kujdes Social dhe Shëndetësor”, pedagogë të departamentit dhe staf akademik i Kolegjit Universitar “Qiriazi”. Diskutimi u karakterizua nga pjesëmarrje aktive, pyetje dhe komente nga studentët, të cilët shfaqën interes të veçantë për aspektet praktike të integrimit në shoqëri të ndryshme
kulturore.
kulturore.

