Më 30 tetor 2026, Kolegji Universitar “Qiriazi” organizoi Ceremoninë e Diplomimit 2026, në sallën “Akernia” të Tirana International Hotel, duke shënuar përmbylljen e një etape të rëndësishme akademike (2025-2026) dhe fillimin e një kapitulli të ri në rrugëtimin personal dhe profesional të diplomantëve.
Në një atmosferë festive dhe emocionuese, ceremonia mblodhi rreth 315 pjesëmarrës, mes të cilëve diplomantë, familjarë, staf akademik, përfaqësues të institucionit dhe të ftuar të nderit, për të festuar së bashku arritjet e një brezi të ri të diplomuarish.
Aktiviteti u hap me Himnin Kombëtar dhe vijoi me shfaqjen e një videoje kushtuar historisë, identitetit dhe vlerave të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, si dhe rrugëtimit akademik të studentëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, u përcolli urimet diplomantëve, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e tyre gjatë viteve të studimit.
Ceremonia u përshëndet gjithashtu nga Prof. Dr. Ethem Ruka, përfaqësues i Ligës së Universiteteve, dhe Prof. Dr. Besim Beqaj, drejtues i FEMSH. E ftuar nderi ishte Grida Duma, e cila iu drejtua diplomantëve me një mesazh përshëndetës në këtë moment të veçantë të jetës së tyre. Në ceremoni mori pjesë edhe Rektori i Universitetit “Epoka”.
Një moment i veçantë ishte fjala e përfaqësuesve të diplomantëve, Kristina Gjonpalaj dhe Eldis Arrnjeti, të cilët sollën në vëmendje përvojat, emocionet dhe kujtimet e viteve universitare.
Programi u pasurua me një interpretim artistik nga studentja Enxhi Bardhi, të cilin e prezantoi pedagogia Fiona Rushiti, duke i dhënë ceremonisë një dimension të veçantë kulturor dhe festiv.
Një vend të rëndësishëm në ceremoni zuri vlerësimi i studentëve të dalluar, si shprehje e mirënjohjes institucionale për rezultatet e larta akademike, përkushtimin dhe seriozitetin e treguar gjatë studimeve.
Ceremonia vijoi me momentet e diplomimit dhe festimit të arritjeve akademike, në praninë e familjarëve dhe pedagogëve që i kanë shoqëruar studentët përgjatë këtij rrugëtimi.
Kolegji Universitar “Qiriazi” u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë diplomantëve të vitit akademik 2025-2026 dhe sa me shume suksese në zhvillimin e tyre profesional dhe personal. Diploma përfaqëson jo vetëm përfundimin e një cikli studimesh, por edhe fillimin e mundësive, përgjegjësive dhe sfidave të reja.

























