Shqip
Shqip

Kolegji Universitar “Qiriazi” mirëpret mbledhjen e Asamblesë së Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”

Tiranë, 12 nëntor 2026

Më 12 nëntor 2026, në mjediset e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, me pjesëmarrjen e drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve anëtare të Ligës.

Në mbledhje morën pjesë Prof. Dr. Ethem Ruka, Rektori i Universitetit “Luarasi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, Rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Besnik Aliaj, Rektor i Universitetit POLIS, Dr. Arjan Xhelaj, Drejtor i Përgjithshëm i Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH) dhe Kryetar i Bordit Drejtues të tij, Prof. Dr. Adem Alushi, themelues i Universitetit “Aldent”, si dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera anëtare.

Mbledhja u drejtua nga Prof. Dr. Ethem Ruka, Kryetar i Bordit Drejtues të Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, dhe u përqendrua në çështje me rëndësi për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte procesi i ndryshimeve në ligjin për arsimin e lartë, përfshirë informacionin nga përfaqësuesit e Ligës në grupin e punës për ndryshimet ligjore dhe propozimet e universiteteve anëtare. Vëmendje e veçantë iu kushtua diplomave profesionale dhe mundësive të punësimit të të diplomuarve, duke trajtuar kriteret për pozicionet e punës që kërkojnë ose pranojnë këto diploma, si dhe mundësitë për lehtësimin e integrimit të të diplomuarve në tregun e punës. Në këtë kuadër, u diskutuan mundësitë për zhvillimin e takimeve me Departamentin e Administratës Publike (DAP) dhe ministritë e linjës, si dhe organizimin e një konference të posaçme mbi diplomat profesionale dhe punësimin. Një tjetër çështje e rendit të ditës ishte riaktivizimi i komisioneve të Ligës dhe hartimi i planeve të tyre të punës, me synim forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve anëtare.

Organizimi i kësaj mbledhjeje në Kolegjin Universitar “Qiriazi” dëshmon angazhimin e institucionit në nxitjen e dialogut akademik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe në diskutimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin e arsimit të lartë, cilësinë e kualifikimeve dhe perspektivat e punësimit të të diplomuarve.

This will close in 0 seconds