Shkup, 11 nëntor 2026
Kolegji Universitar “Qiriazi” dhe Universiteti “Nënë Tereza” nënshkruan në Shkup një marrëveshje për bashkëpunim akademik dhe institucional. Marrëveshjen e nënshkruan rektori i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, dhe rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Prof. Dr. Bekim Fetaji.
Marrëveshja krijon mundësi për bashkëpunim në programet e studimit, shkëmbimin e stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe organizimin e veprimtarive kërkimore-shkencore, me vëmendje të veçantë ndaj hotelerisë dhe turizmit.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë drejtues të Universitetit “Nënë Tereza” dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), përfshirë kryetarin Sami Morina dhe kryetarin e nderit Xhemal Dauti.
Kolegji Universitar “Qiriazi” falënderon rektorin Fetaji për mikpritjen dhe të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë për ta çuar përpara bashkëpunimin. Kolegji synon që marrëveshja të hapë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik, si dhe të forcojë lidhjet me komunitetin e biznesit.







