Tiranë, 25 nëntor 2026
Dhuna ndaj grave: nga ndërgjegjësimi te mbrojtja dhe aksesi në drejtësi
Seminar ndërgjegjësues në kuadër të projektit Jean Monnet Module “RoLE”
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor 2026, Kolegji Universitar “Qiriazi” organizoi një seminar ndërgjegjësues, duke iu bashkuar nismës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për parandalimin dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit Jean Monnet Module RoLE – “The Right to Education and the Rule of Law” (E drejta për arsim dhe shteti i së drejtës), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, dhe solli së bashku pedagogë, juristë, psikologë, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të pushtetit vendor dhe studentë.
Në qendër të seminarit ishte analiza e dhunës në marrëdhëniet intime, e mekanizmave të pushtetit dhe kontrollit në çift, e përgjegjësisë së institucioneve dhe e mundësive konkrete për mbrojtjen e grave dhe garantimin e aksesit të tyre në drejtësi.
Pikënisje e diskutimit ishte një rast studimor, i prezantuar nga Dr. Valbona Nathanaili, lektore e modulit Jean Monnet “RoLE”, mbi historinë e një gruaje shqiptare, të martuar me mblesëri, dhe përvojën e saj të dhunës në çift në kushtet e emigracionit në Itali. Rasti shërbeu si bazë për shqyrtimin e ndërthurjes së varësisë ekonomike, izolimit shoqëror, pabarazisë gjinore dhe mekanizmave të kontrollit, si dhe të vështirësive që shoqërojnë vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie e dhunshme. Diskutimi u strukturua duke iu referuar tipologjisë së dhunës në marrëdhëniet intime të sociologut amerikan Michael P. Johnson, me fokus në dallimin ndërmjet terrorizmit intim, rezistencës së dhunshme dhe dhunës situacionale në çift. Kjo qasje synoi të evidentojë rëndësinë e të kuptuarit të kontekstit në të cilin ushtrohet dhuna, si parakusht për identifikimin, parandalimin dhe ndërhyrjen efektive.
Pjesë e programit të seminarit ishin:
- Valbona Nathanaili, lektore e modulit Jean Monnet “RoLE”
- Enida Bozheku, drejtuese e modulit Jean Monnet “RoLE” dhe dekane e Fakultetit të Drejtësisë;
- Edlira Cepani, aktiviste për të drejtat e njeriut;
- Orjola Plaku, psikologe;
- Haxhire Kasaj, juriste;
- Erjona Fusha, sociologe dhe pedagoge e Fakultetit të Ekonomisë;
Perspektiva juridike, psikologjike dhe sociologjike, së bashku me përvojën e shoqërisë civile dhe të institucioneve vendore, përbënë bazën e një qasjeje ndërdisiplinore ndaj fenomenit të dhunës. Vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të shenjave paralajmëruese të një marrëdhënieje abuzive, procesit të denoncimit, rolit të policisë dhe gjykatave, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës.
Një dimension i rëndësishëm i aktivitetit ishte përfshirja e studentëve, edhe nëpërmjet materialeve video të përgatitura paraprakisht, si një mënyrë për t’i nxitur të reflektojnë mbi dhunën, marrëdhëniet në çift dhe përgjegjësinë individuale e shoqërore për parandalimin e saj.
Përmes këtij aktiviteti, Kolegji Universitar “Qiriazi” riafirmon angazhimin e tij për promovimin e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, edukimit juridik dhe kulturës së shtetit të së drejtës, duke e konceptuar universitetin jo vetëm si institucion të transmetimit të dijes, por edhe si aktor të rëndësishëm të ndryshimit shoqëror.









