Në laboratorin e Mikrobiologjisë dhe Bioteknologjisë Ushqimore në Kolegjin Universitar “Qiriazi”, studentët e vitit të parë të programit Teknologji Ushqimore zhvilluan një ushtrim praktik të fokusuar në procesin e fermentimit laktik për prodhimin e kosit.
Gjatë zhvillimit të laboratorit, studentët realizuan kontrollin e cilësisë së lëndëve të para dhe zbatuan në praktikë parametrat kryesorë të procesit teknologjik, duke respektuar kushtet e higjienës, temperaturës dhe monitorimit të pH-it.
Përmes këtij ushtrimi, ata ndoqën në mënyrë të detajuar të gjitha fazat e prodhimit të kosit, nga pasterizimi dhe inokulimi deri te inkubimi për fermentim, duke kuptuar më qartë rolin e mikroorganizmave dhe rëndësinë e kontrollit teknologjik në industrinë ushqimore.
Ky laborator shërben si një shembull konkret i ndërthurjes së njohurive teorike me praktikën profesionale, duke i pajisur studentët me aftësi të drejtpërdrejta për fushën e teknologjisë ushqimore dhe standardet e industrisë moderne.

