Shqip
Shqip

Kolegji Universitar “Qiriazi” shpallet fitues i projektit Jean Monnet Module në kuadër të programit Erasmus+

Kolegji Universitar “Qiriazi” (KUQ) është shpallur fitues i projektit “The Right to Education and the Rule of Law” (RoLE), në kuadër të programit Erasmus+, aksioni Jean Monnet Modules, i financuar nga Bashkimi Europian.

Projekti (ID 101319919) do të zbatohet gjatë një periudhe trevjeçare (2026-2029).

RoLE synon të nxisë njohuritë, reflektimin kritik dhe debatin akademik mbi të drejtën për arsim, shtetin e së drejtës dhe vlerat themelore të Bashkimit Europian. Projekti do t’i trajtojë këto çështje në një perspektivë ndërdisiplinore, duke ndërthurur dimensionet juridike, arsimore dhe shoqërore.

Në kuadër të RoLE parashikohet zhvillimi i dy moduleve mësimore universitare, organizimi i 3 shkollave verore, leksioneve të hapura, aktiviteteve akademike dhe veprimtarive ndërgjegjësuese, me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve dhe aktorëve të tjerë të interesuar. Projekti do të mbështesë gjithashtu zhvillimin e materialeve mësimore dhe shkëmbimin e përvojave akademike.

Projekti është hartuar nga Prof. Asoc. Enida Bozheku (kordinator projekti) dhe Dr. Valbona Nathanaili (kontakt kordinator), pjesë e stafit akademik të Kolegjit Universitar “Qiriazi”.

Në ekipin akademik të projektit janë përfshirë edhe katër ekspertë nga institucione të tjera të arsimit të lartë:

  • Prof. Dr. Thanassis Karalis, Universiteti i Patrës, Greqi, profesor i të nxënit gjatë gjithë jetës dhe arsimit të të rriturve.
  • Dr. Ilirjana Geci, Kolegji AAB, Kosovë, drejtuese e Zyrës për Zhvillimin e Projekteve.
  • Prof. Dr. Nevila Xhindi, profesore e studimeve europiane dhe ish-mbajtëse e titullit Jean Monnet Chair.
  • Prof. Dr. Arjana Muçaj, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, pedagoge dhe drejtuese e Departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë.

Përfshirja e ekspertëve nga institucione të ndryshme akademike do të kontribuojë në pasurimin e përmbajtjes mësimore dhe shkencore të projektit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Fitimi i projektit RoLE përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, në zgjerimin e veprimtarive akademike dhe në integrimin e studimeve europiane në ofertën arsimore të institucionit.

This will close in 0 seconds