Shqip
Shqip

Vizitë e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve

Më datë 2 korrik 2026 një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” vizitoi Kolegjin Universitar “Qiriazi” për forcimin e bashkëpunimit akademik

Kolegji Universitar “Qiriazi” pati kënaqësinë të mirëpriste një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, Kosovë, në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Delegacioni kryesohej nga Prof. Dr. Artan Dermarku, Rektor, shoqëruar nga Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, Zëvendës dekan i Fakultetit Ekonomik dhe përfaqësues të tjerë të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Delegacioni u prit nga Prof. Dr, Gjokë Uldedaj, Rektor, Dr. Ida Kruti, zëvendës rektore, Dr. Valbona Nathanaili, Drejtuese e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Projekteve, si dhe përfaqësues të tjerë të Kolegjit Universitar “Qiriazi”.
Gjatë takimit u diskutuan hapat konkretë për zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, me fokus në zgjerimin e partneritetit akademik dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin institucional.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte propozimi për realizimin e një programi të shkëmbimit të stafit akademik për një semestër gjatë vitit akademik 2026-2027. Kjo nismë synon të promovojë shkëmbimin e përvojave profesionale, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore, si dhe aplikimin në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.
Palët riafirmuan angazhimin për ta shndërruar Memorandumin e Bashkëpunimit në iniciativa konkrete dhe të qëndrueshme, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, mobilitetin akademik dhe forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Kolegji Universitar “Qiriazi” dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbeten të përkushtuar për ndërtimin e një partneriteti afatgjatë, i cili do të krijojë vlera të shtuara për stafin akademik, studentët dhe zhvillimin e kërkimit shkencor në të dy institucionet.