Shqip
Shqip

Fillimi i vitit akademik 2023-2024 në Kolegjin Universitar Qiriazi

Kolegji Universitar “Qiriazi” çeli sot vitin akademik 2023-2024, duke mirëpritur në auditorët e tij studentë në të gjitha programet e studimit. Të pranishëm në ceremoninë hapëse të këtij eventi ishin drejtuesit më të lartë të këtij institucioni arsimor: Presidenti i Universitetit Qiriazi Prof. Gjokë Uldedaj, Rektori Prof. Dr. Maksim Meço, stafi akademik dhe ndihmës akademik. Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm edhe prindër të studentëve të vitit të parë.

Prof. Gjokë Uldedaj, në cilësinë e Presidentit të Kolegjit Universitar Qiriazi, në fjalën e tij përshëndetëse, ju uroi studentëve suksese, duke ju garantuar se, në vazhdim të traditës së krijuar, Kolegji Universitar “Qiriazi” ka në themel të strategjisë së vet jo vetëm cilësinë akademike dhe kërkimin, por edhe forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me Institucionet me prestigjioze në vend, me Universitetet dhe Kolegjet e vendeve perëndimore, me qëllim zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e institucionit dhe të studentëve tanë.

Rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, Prof. Dr. Maksim Meço përgëzoi studentët për zgjedhjen e bërë, duke ju siguruar atyre cilësi në procesin mësimor dhe mbarëvajtje të vitit të ri akademik. Stafi Akademik, pas ceremonisë së hapjes, informoi studentët sipas programeve, mbi rregulloren e Universitetit, dhe duke i njohur me auditorët e leksioneve, klasat e seminareve, laboratorët, bibliotekën, mjediset sportive, ambientet për kohën e lirë, etj. Në mbyllje të eventit u organizua një koktej, ku studentët patën mundësi të socializohen dhe të ndajnë me njëri-tjetrin eksperiencat e tyre gjatë punësimit sezonal dhe pushimeve. Ne në “KUQ” jemi të bindur që, ashtu si çdo vit, serioziteti dhe përkushtimi i të gjithë stafit të universitetit ndaj punës dhe studentëve do vazhdojë të jetë në nivelet më të larta. Përvoja më e madhe dhe prurjet e reja e kanë rritur edhe më shumë cilësinë së stafit akademik në Kolegjin Universitar Qiriazi.