Tiranë, 17 nëntor 2026
Kolegji Universitar “Qiriazi”, përfaqësuar nga Rektori, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, ka nënshkruar deklaratën “The AIM Global Pledge”, në kuadër të nismës ndërkombëtare Global Alliance on Artificial Intelligence for Industry and Manufacturing (AIM Global), të ndërmarrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO).
Deklarata promovon zhvillimin dhe përdorimin etik, të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të inteligjencës artificiale, duke u mbështetur në parimet e transparencës dhe llogaridhënies, mbrojtjes së privatësisë, sigurisë dhe bashkëpunimit për inovacionin.
Nënshkrimi i kësaj deklarate shpreh angazhimin institucional të Kolegjit Universitar “Qiriazi” për të mbështetur zhvillimin e përgjegjshëm të teknologjive të reja, si dhe për të nxitur kërkimin shkencor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e njohurive në fushën e inteligjencës artificiale.
Ky angazhim përputhet me orientimin e institucionit drejt transformimit digjital, inovacionit dhe integrimit të teknologjive bashkëkohore në arsim dhe kërkim shkencor.

