Shqip
Shqip

KELLER: Një projekt ndërkombëtar për një arsim të lartë pa barriera, nën koordinimin e Kolegjit Universitar “Qiriazi”

I frymëzuar nga jeta dhe trashëgimia e Helen Keller, simbol i qëndresës, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për arsimim, projekti ndërkombëtar KELLER “Knowledge, Equity and Learning for Learners with Disabilities in Higher Education” është përzgjedhur për financim në kuadër të programit Erasmus+, Capacity Building in Higher Education (CBHE).

Me Kolegjin Universitar “Qiriazi” si institucion koordinator, projekti synon të kontribuojë në ndërtimin e një arsimi të lartë më gjithëpërfshirës, ku aftësia e kufizuar nuk përbën pengesë për aksesin në dije, pjesëmarrjen akademike dhe zhvillimin e potencialit individual. Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe transformimit digjital me në qendër njeriun, KELLER synon të forcojë kapacitetet e institucioneve të arsimit të lartë për të garantuar akses të barabartë, pjesëmarrje aktive dhe përfundim të suksesshëm të studimeve universitare për studentët me aftësi të kufizuara, përmes transformimit digjital gjithëpërfshirës të mësimdhënies, të nxënit dhe shërbimeve mbështetëse.

Projekti është frymëzuar nga jeta dhe veprimtaria e Helen Keller, shkrimtare, edukatore dhe aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, e cila dëshmoi se aftësia e kufizuar nuk duhet të përbëjë pengesë për arsimimin dhe zhvillimin e potencialit njerëzor.

Konsorciumi ndërkombëtar, i drejtuar nga Kolegji Universitar “Qiriazi”, përfshin institucionet e mëposhtme:

Shqipëri

  • Kolegji Universitar “Qiriazi” – Koordinator
  • Universiteti Europian i Tiranës (UET)
  • Kolegji Universitar (LOGOS)
  • Tirana College of Technology (KPT)
  • Durana Tech Park (DTP)

Bullgari

  • Burgas Free University (BFU)

Itali

  • Università del Salento (UNILE)

Indi

  • Karnatak University (KU)
  • School of Planning and Architecture Bhopal (SPAB)
  • Banaras Hindu University (BHU)

Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve nga Ballkani Perëndimor, Azia dhe Bashkimi Evropian krijon mundësi për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e praktikave të arsimit gjithëpërfshirës. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet aksesueshmërisë së mjediseve digjitale, zhvillimit profesional të stafit akademik dhe përmirësimit të sistemeve të mbështetjes për studentët me aftësi të kufizuara.

Si institucion koordinator, Kolegji Universitar “Qiriazi” do të ketë përgjegjësinë për drejtimin dhe bashkërendimin e zbatimit të projektit, duke kontribuar në realizimin e objektivave të përbashkëta dhe në qëndrueshmërinë e rezultateve të tij.

Fitimi i projektit KELLER shënon një arritje të rëndësishme në procesin e ndërkombëtarizimit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, duke zgjeruar bashkëpunimin akademik dhe institucional përtej kufijve evropianë dhe duke forcuar angazhimin e tij për një arsim të lartë më gjithëpërfshirës, më të aksesueshëm dhe më të barabartë.

Të dhënat e projektit

  • Titulli: Knowledge, Equity and Learning for Learners with Disabilities in Higher Education
  • Akronimi: KELLER
  • Numri i projektit: 101323179
  • Programi: Erasmus+
  • Thirrja: ERASMUS-EDU-2026-CBHE-CROSS-REGIONAL
  • Buxheti i përgjithshëm: €782,281.00
  • Koordinatori: Kolegji Universitar “Qiriazi”
  • Konsorciumi: 10 institucione nga 5 vende.

This will close in 0 seconds