Kolegji Universitar “Qiriazi” ju bashkua nismës së dhurimit të 1050 librave për themelimin e bibliotekës së parë me libra në gjuhën shqipe, që do hapet në qytetin e Manastirit.
Grumbullimi i këtij kontigjenti librash u bë në ambjentet e Universitetit Qiriazi, ku u organizua edhe një si “ceremoni pagëzimi”, për nisjen e rrugëtimit të këtyre librave drejt qytetit të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe.
Në këtë ceremoni, studentja e gazetarisë nga Shkupi Znj. Emira Selimi, e cila ka marrë këtë nisëm, tha se, jo rastësisht ndodhej në Kolegjin Universitar “Qiriazi”. Ky universitet me këtë emër të nderuar, është “shtëpia” e dijes, e cila e ka zanafillën në qytetin e Manastirit, ku u lindën dhe muarën mësimet e para, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi.
Biblioteka që do të themelohet në Manastir do të mbajë emrin e ikonave të arsimit mbarëkombëtar shqiptar “Motrat Qiriazi”.
Z. Adriatik Kurti, koordinatori i kësaj nisme, u shpreh se, ishte mirënjohës për bashkëpunimin që kishte gjetur dhe solidarizimin e shqiptarëve me këtë nismë.
Pedagogu Zylfi Shehu, i cili ndihmoi së bashku me Universitetin Qiriazi në grumbullimin e këtyre librave, shprehu vendosmërinë e tij për t’a vazhduar edhe më tej këtë mision.
Rektori i Universitetit “Qiriazi” Prof. Dr. Maksim Meço e përgëzoi Znj. Selimi për nisiativën e ndërmarrë dhe u bë pjesë e kësaj nisme më të gjitha botimet e tij!
Gjithashtu, administratorja e Universitetit Qiriazi zj. Roza Uldedaj u shpreh se, nisma dhe ndërmarrje të tilla do jenë të përkrahura gjithnjë nga ana jonë. Realizimi i tyre do të jetë një vlerë e shtuar për ne.
Ndër librat e dhuruar, ishte edhe botimi i fundit i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, “Mosha e artë e një universiteti”, me autor Dr. Gjovalin Gjeloshi.
