Departamenti i Teknologjisë Ushqimore dhe Turizmit në Universitetin Qiriazi mirëpriti në ambjentet e laboratorit për realizimin e praktikave mësimore, maturantë të Shkollës së Mesme Hoteleri-Turizëm në Tiranë, me drejtim Teknologji Ushqimore.
Drejtori i Departamentit të Kolegjit Profesional të Lartë në Universitetin Qiriazi, Prof. Dr. Abdyl Sinani, informoi maturantët mbi rëndësinë praktike dhe proceset teknologjike, duke filluar nga perdorimi i lëndës së parë, prodhimi, paketimi, ruajtja, transporti dhe shpërndarja e produkteve ushqimore tek konsumatori.
Prof. Dr. Abdyl Sinani i njohu maturantët me rolin e rëndësishëm dhe vendimtar që luan programi i Teknologjisë Ushqimore në përmirësimin e jetës, duke u shprehur se nuk ka teknologji ushqimore të efektshme nëse mungon teknologu i aftë për zbatimin e protokolleve të standardeve teknologjike.
Gjithashtu maturantët u njohën me zbatimin e procedurave standarde në lidhje me sigurinë ushqimore, që nga protokollet ndërkombëtare, pikat e kontrollit që të identifikojnë rreziqet e mundshme dhe marrja e masave paraprake të nevojshme deri tek aplikimi i analizave fiziko-kimike, mikrobiologjike, etj.
#universitetiqiriazi
