Shqip
Shqip

Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit Universitar Qiriazi dhe Rome Business School

Më datë 3 mars 2026, në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ndërkombëtarizimit të institucionit, Kolegji Universitar “Qiriazi” organizoi një leksion të hapur me Prof. Antonio Ragusa, Dekan i “Rome Business School”, me temë “Ferrari: Driving Luxury Beyond the Road Luxury” (shih posterin). Leksioni trajtoi konceptin e luksit, ndërtimin e identitetit të markës dhe krijimin e vlerës, përmes modelit të një prej markave më ikonike në botë, Ferrari. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Kolegjit Universitar “Qiriazi”. Leksioni tërhoqi interesin e studentëve dhe stafit akademik, duke ofruar një perspektivë bashkëkohore mbi marketingun, menaxhimin e markës dhe strategjitë e biznesit në tregjet globale. Me këtë rast u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve arsimore.

Leksioni i hapur

Kolegji Universitar “Qiriazi” mirëpriti Profesor Antonio Ragusa, themelues dhe dekan i Rome Business School, Itali, shoqëruar nga Eleonora Mantovani, drejtuese e Zyrës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në kuadër të një vizite akademike që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në arsimin e lartë. Gjatë vizitës, Prof. Ragusa mbajti një leksion të hapur me titullin “Ferrari: Driving Luxury Beyond the Road”, një leksion unik mbi konceptin e luksit, krijimin e vlerës dhe të identitetit të markës, përmes shembullit të një prej markave më ikonike në botë, Ferrari.

Kontributi i Kolegjit Universitar “Qiriazi” dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit

Në ceremoninë e pritjes, që u zhvillua në Sallën “Charles Chraine”, në praninë e stafit akademik dhe administrativ, si dhe studentëve përshëndeti Dr. Valbona Nathanaili. Delegacioni nga Rome Bussines School, zhvilloi bisedime me grupin e punës të ngritur për këtë qëllim, kryesuar nga Prof. Gjokë Uldedaj, rektor, Dr. Valbona Nathanaili, Drejtuese e Zyrës për marrëdhëniet me Jashtë dhe Projektet, Dr. Gjovalin Gjeloshi, Drejtues i Zyrës së Burimeve Njerëzore, Anxhela Uldedaj, drejtuese e Bordit të administrimit, Altin Kulli,  Stavri Bello dhe Ali Shingjergji. Një nga momentet qendrore të vizitës ishte edhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit (MoU) ndërmjet Kolegjit Universitar “Qiriazi” dhe Rome Business School. Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. Gjokë Uldedaj, Rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, dhe Profesor Antonio Ragusa, themelues dhe dekan i Rome Business School. Memorandumi krijon një kuadër bashkëpunimi në fushat e shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, iniciativave të përbashkëta akademike dhe kërkimore, pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare dhe eksplorimit të programeve të përbashkëta të studimit.

Në kuadër të aktiviteteve të vizitës, Prof. Antonio Ragusa dhe znj. Eleonora Mantovani morën pjesë në një podcast të realizuar nga Kolegji Universitar Qiriazi. Gjatë intervistës, ata ndanë përshtypjet e tyre mbi takimin dhe diskutimet e zhvilluara, si dhe theksuan interesin dhe angazhimin për të zgjeruar bashkëpunimin institucional përmes iniciativave dhe projekteve të përbashkëta në fushat me interes të ndërsjellë.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneriteteve akademike ndërkombëtare dhe zgjerimit të mundësive për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve.

Rreth Romë Bussines School dhe Prof. Antonio Ragusa

Rome Business School, me kampusin kryesor në Romë, Itali, është një institucion i arsimit të lartë fokusuar në disiplinën e biznesit, me mbi 3,300 studentë të regjistruar çdo vit, nga 132 vende, si dhe me 4,000 partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Motoja e Rome Business School, “Better managers for a better world”, pasqyron një vizion të fortë njerëzor dhe social mbi lidershipin.

Profesor Antonio Ragusa është akademik, sipërmarrës dhe ekspert i arsimit të lartë, me më shumë se dy dekada përvojë në themelimin dhe ndërkombëtarizimin e institucioneve arsimore në Europë dhe Afrikë. Ragusa është themelues dhe president i Rome Business School Nigeria, si dhe themelues dhe president i Space Economy Institute, një institut ndërkombëtar i specializuar në industrinë hapësinore, ekonominë e hapësirës dhe politikat hapësinore.