Tiranë, 16 shtator 2026 – Kolegji Universitar “Qiriazi” mirëpriti sot përfaqësuesit e Universitetit “Aldent” në kuadër të nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërinstitucional.
Delegacioni i Universitetit “Aldent” përbëhej nga themeluesi i universitetit, Prof. Dr. Adem Alushi, Rektorja Prof. Dr. Diana Brovina (Sinani) dhe Drejtorja e Politikave dhe Administrimit, Mirela Muçaj (Avduli). Përfaqësuesit u pritën nga Rektori i Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, Zëvendësrektorja Dr. Ida Kruti dhe Drejtuesja e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Projekteve, Dr. Valbona Nathanaili.
Në qendër të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit akademik dhe profesional ndërmjet dy institucioneve, me vëmendje të veçantë ndaj mbështetjes dhe zhvillimit të programit të studimit “Kujdes Social dhe Shëndetësor” në Kolegjin Universitar “Qiriazi”.
Marrëveshja synon të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës, zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta akademike dhe profesionale, si dhe përmirësimin e formimit teorik e praktik të studentëve. Bashkëpunimi ndërinstitucional do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së programit dhe në përgatitjen e profesionistëve të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të sektorit të kujdesit social dhe shëndetësor.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën gatishmërinë për ta shndërruar marrëveshjen në një bashkëpunim konkret dhe të qëndrueshëm, në funksion të studentëve, zhvillimit akademik dhe forcimit të lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe praktikës profesionale.
Nënshkrimi i marrëveshjes shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të partneriteteve të Kolegjit Universitar “Qiriazi” dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin e programit të studimit “Kujdes Social dhe Shëndetësor”.




