Në kuadër të zhvillimit të praktikave mësimore profesionale për studentët e vitit të dytë të programit “Hoteleri-Turizëm”, në lëndën “Menaxhimi i Eventeve, Shërbimeve dhe Zhvillimi i Aftësive Praktike në Hoteleri-Turizëm”, u realizua një vizitë studimore dhe trajnim praktik pranë “MK Hotel Tirana”.
Gjatë vizitës, studentët u njohën me infrastrukturën dhe funksionimin e ambienteve të hotelit, përfshirë sallat e eventeve dhe konferencave, mënyrat e organizimit dhe shërbimit të tavolinave (set-up), si dhe praktikat e koordinimit ndërsektorial. U prezantuan gjithashtu me teknikat e arredimit të hapësirave, ndërtimin e bufesë për “coffee break” dhe shërbimin e ushqimeve, si dhe me përdorimin e sistemeve informatike për komunikimin ndërmjet sektorit të shërbimit dhe atij të kuzhinës.
Pjesë e praktikës ishin gjithashtu njohja me tipologjitë e dhomave sipas kategorive, procedurat e “check-in” dhe “check-out”, mënyrat e pagesës, si dhe rregullat e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe higjienës në dhoma.
Kolegji Universitar “Qiriazi” shpreh mirënjohjen e veçantë për menaxherin e “MK Hotel Tirana”, z. Gid Shaqiri, për mikpritjen, përkushtimin dhe kontributin profesional të ofruar gjatë kësaj përvoje me vlerë për studentët tanë.
