Sot, më 04 Mars 2025, në Sallën “Charles Crane” të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës, një hap i rëndësishëm ky drejt forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale në fushën e politikave të konkurrencës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i KUQ, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për rivitalizimin e jetës universitare dhe zgjerimin e bashkëpunimeve me aktorë kyç të sektorit publik dhe privat. Ky partneritet synon të krijojë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik në aspektin e edukimit dhe kërkimit shkencor mbi konkurrencën dhe tregjet.
Nga ana tjetër, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, z. Denar Biba, vuri theksin tek rëndësia e këtij bashkëpunimi institucional për rritjen e ndërgjegjësimit mbi konkurrencën e ndershme, promovimin e praktikave studentore dhe krijimin e një platforme dinamike për shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave ndërmjet botës akademike dhe institucioneve publike.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap më pranë zhvillimit të politikave arsimore dhe nxitjen e një kulture të re bashkëpunimi mes aktorëve të arsimit të lartë dhe institucioneve publike në Shqipëri. ![]()













