Shqip
Shqip

Mësuesi në Edukim Fizik, Sporte dhe Shëndet

Qëllimi dhe aftësitë që fitohen në përfundim të programit të studimit

Programi synon të përgatisë mësues dhe specialistë të kualifikuar në fushën e edukimit fizik, sportit dhe shëndetit, me njohuri të thelluara shkencore, pedagogjike, metodike dhe praktike. Ai ofron formim bashkëkohor për ushtrimin e profesionit të mësuesit, për zhvillimin e veprimtarive sportive dhe promovimin e aktivitetit fizik si pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, si dhe krijon bazat për angazhim në kërkim shkencor në këtë fushë.

Në përfundim të studimeve, të diplomuarit do të jenë të aftë të planifikojnë, organizojnë dhe realizojnë procesin e mësimdhënies dhe veprimtaritë kurrikulare e ekstrakurrikulare në edukimin fizik dhe sport; të vlerësojnë dhe mbështesin progresin dhe zhvillimin e nxënësve; të përshtatin veprimtaritë fizike dhe sportive me nevojat e grupmoshave të ndryshme; si dhe të promovojnë aktivitetin fizik për shëndet dhe mirëqenie.

Programi zhvillon gjithashtu aftësi për kërkim shkencor, mendim kritik, analitik dhe reflektues, menaxhim të zhvillimit dhe performancës profesionale, si dhe përgjegjësi etike e sociale. Formimi i fituar u mundëson të diplomuarve t’u përgjigjen zhvillimeve bashkëkohore në arsim, sport dhe shëndet dhe të kontribuojnë në përmirësimin e praktikave profesionale në këto fusha.

Kriteret e pranimit dhe forma e studimit

Kategoria Përshkrimi
Kriteret e pranimit Të kenë përfunduar studimet e ciklit të parë Bachelor në “Edukim Fizik e Sporte”, ose në programe studimi të ngjashme, të kryera në institucione të arsimit të lartë brenda ose jashtë vendit.

Kriter bazë për pranimin është nota mesatare e ponderuar e studimeve Bachelor.

Të zotërojnë një nga gjuhët e huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht), në nivelin e përcaktuar sipas udhëzimeve në fuqi të Ministrisë së Arsimit.

Kandidatët vlerësohen mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur dhe plotësimit të kritereve të miratuara nga Kolegji Universitar “Qiriazi”.

Forma e studimit Me kohë të plotë.
Kohëzgjatja zyrtare e studimeve 2 vite, 4 semestra, 120 kredite (ECTS).

Mundësitë e punësimit

Të diplomuarit në programin Master i Shkencave në “Mësuesi në Edukim Fizik, Sporte dhe Shëndet” mund të zhvillojnë karrierën e tyre në fusha të ndryshme të edukimit fizik, sportit, rekreacionit dhe promovimit të shëndetit. Në varësi të kërkesave dhe kualifikimeve specifike të pozicionit, mundësitë e punësimit përfshijnë:

  • Mësues të Edukimit Fizik dhe Sportit në institucionet arsimore;
  • Instruktorë dhe trajnerë sportivë në palestra, klube dhe qendra sportive;
  • Specialistë dhe koordinatorë të aktiviteteve fizike, rekreative dhe të turizmit aktiv;
  • Specialistë dhe menaxherë në qendra sportive, rekreative dhe wellness;
  • Specialistë në institucione publike, organizata dhe OJQ, në hartimin dhe zbatimin e programeve që lidhen me aktivitetin fizik, sportin dhe promovimin e shëndetit;
  • Angazhim në kërkim shkencor dhe projekte në fushën e edukimit fizik, sportit dhe shëndetit.
  • Programi krijon gjithashtu mundësi për mobilitet dhe zhvillim profesional ndërkombëtar, në përputhje me procedurat e njohjes së kualifikimeve dhe kërkesat profesionale të vendit pritës.

Mundësitë për studime të mëtejshme

Kreditet e fituara gjatë programit Master i Shkencave në “Mësuesi në Edukim Fizik, Sporte dhe Shëndet” mund të njihen dhe transferohen në programe të tjera të të njëjtit nivel, në Kolegjin Universitar “Qiriazi” ose në institucione të tjera të arsimit të lartë, në përputhje me rregulloret dhe procedurat përkatëse. Kjo u krijon studentëve mundësi për mobilitet akademik dhe vijimin e studimeve brenda ose jashtë vendit.

Pas përfundimit të programit, të diplomuarit mund të vijojnë zhvillimin e tyre akademik dhe profesional përmes:

  • Studimeve të doktoraturës dhe programeve të tjera pasuniversitare në fushën e edukimit fizik, shkencave të sportit, shëndetit, edukimit dhe fusha të tjera të përafërta.
  • Programeve të ciklit të tretë me orientim profesional, përfshirë programe Master Ekzekutiv, në përputhje me kriteret specifike të pranimit të programit përkatës.
  • Programeve të specializimit, kualifikimit dhe formimit të vazhduar profesional në edukim fizik, sport, aktivitet fizik dhe shëndet.

🔗 Kliko këtu për të parë kurrikulën e programit të studimit.

Apliko Tani