Në kuadër të zbatimit të strategjisë për ndërkombëtarizim, si dhe forcimit të bashkëpunimeve me partnerët tanë, kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se te martën, dt. 3 mars 2026, në institucionin tonë do të jetë i pranishëm një grup pune nga Rome Business School, Rome, Itali. Grupi i punës përbëhet nga themeluesi dhe dekani i Rome Business School, Rome, Itali, Prof. Antonio Raguza, dhe drejtuesja e Zyrës për Marrëdhëniet me Jashtë, Dr. Eleonora Mantovani.
Prof. Ragusa do të mbajë edhe një leksion të hapur, me temë “Ferrari: Driving Luxury Beyond the Road Luxury”, një leksion unik mbi krijimin e vlerës dhe të identitetit të markës, përmes shembullit të një prej markave më ikonike në botë, Ferrari.
Bio:
Antonio Ragusa është akademik, sipërmarrës, trajner dhe ekspert në fushën e arsimit të lartë, me mbi dy dekada përvojë në themelimin, drejtimin dhe ndërkombëtarizimin e institucioneve arsimore në Europë dhe Afrikë. Prof. Ragusa është themelues dhe dekan i “Rome Business School”, Romë, Itali, një institucion i arsimit të lartë fokusuar në fushën e biznesit, me orientim të fortë ndërkombëtar, e njohur për komunitetin e saj global të studentëve, bashkëpunimet e gjera akademike dhe lidhjet e ngushta me industrinë. Antonio Ragusa është themelues dhe President i “Rome Business School, Nigeria”, një nga qendrat më të mëdha të arsimit të lartë në Afrikën Perëndimore, si dhe themelues dhe President i “Space Economy Institute”, një institut ndërkombëtar i specializuar në industrinë, ekonominë dhe politikat e hapësirës. Vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare për kontributet e tij në lidership, inovacion dhe zhvillimin e arsimit, Prof. Ragusa ftohet rregullisht si folës në konferenca dhe forume akademike ndërkombëtare, ku trajton tema mbi inovacionin në arsim, qeverisjen globale dhe të ardhmen e universiteteve (për më shumë, shihni ju lutem bashkangjitur).
Rome Business School, me kampusin kryesor në Romë, Itali, është një institucion i arsimit të lartë fokusuar në disiplinën e biznesit, me mbi 3,300 studentë të regjistruar çdo vit, nga 132 vende, si dhe me 4,000 partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë .
