Në datat 10–11 shtator 2026, në mjediset e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, u zhvillua ‘Youth Capacity-Building Workshop on Climate Change and Corruption’, organizuar në kuadër të nismës GRACE – Global Resource for Anti-Corruption Education and Youth Empowerment të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Workshop-i synoi të fuqizonte të rinjtë me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të kuptuar lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimatike dhe korrupsionit, për të identifikuar rreziqet konkrete dhe për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në komunitetet e tyre.
Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime, punë në grup dhe veprimtari praktike, të udhëhequra nga trajnerët Christos Vlassis, Bora Dika, Jasna Pekić dhe Gjakush Çapari. Nëpërmjet metodologjisë interaktive Climate Fresk, të rinjtë analizuan shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, si dhe mënyrat në të cilat korrupsioni mund të cenojë efektivitetin e politikave dhe masave për zbutjen dhe përshtatjen ndaj tyre.
Diskutimet evidentuan se korrupsioni mund të ndikojë negativisht në proceset vendimmarrëse, të rrisë kostot, të pengojë investimet dhe të dobësojë mbrojtjen e komuniteteve më të cenueshme. Njëkohësisht, u theksua roli i të rinjve si aktorë të rëndësishëm në nxitjen e veprimit klimatik dhe në ndërtimin e një kulture që refuzon korrupsionin.
Workshop-i krijoi një hapësirë për bashkëpunim, shkëmbim idesh dhe zhvillim të mendimit kritik, duke i nxitur pjesëmarrësit të identifikojnë mundësi konkrete për veprim të përbashkët. Në përfundim, të rinjtë u inkurajuan të shndërrohen në udhëheqës të integritetit klimatik dhe të kontribuojnë në ndërtimin e komuniteteve më të qëndrueshme, transparente dhe të përgjegjshme.
UNODC është organizata përgjegjëse për promovimin dhe mbështetjen e zbatimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC), instrumenti i vetëm universal dhe ligjërisht detyrues kundër korrupsionit. Në përputhje me nenin 13 të Konventës, organizata promovon edukimin kundër korrupsionit dhe fuqizimin e të rinjve në nivel global. Nëpërmjet nismës GRACE, UNODC bashkëpunon me institucione arsimore, akademikë, organizata të shoqërisë civile, të rinj dhe autoritete kundër korrupsionit për të nxitur kulturën e integritetit dhe përgjegjshmërisë.
Organizimi i këtij aktiviteti në Kolegjin Universitar “Qiriazi” dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave ndërkombëtare për edukimin dhe angazhimin aktiv të brezit të ri përballë sfidave globale.











