Shqip
Shqip

Konferenca “Towards an Intelligent Society: Challenges and Opportunities”

Më datë 29 maj 2026, Kolegji Universitar “Qiriazi” mirëpriti dhe organizoi sesionet 26 dhe 27 të Konferencës së 21-të Ndërkombëtare dhe Ndërdisiplinore të Institutit Shqiptar të Sociologjisë (AIS), me temë “Towards an Intelligent Society: Challenges & Opportunities”. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë (AIS), Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe partnerë të tjerë akademikë, duke mbledhur studiues, pedagogë, studentë dhe kërkues shkencorë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera.

Ceremonia e Hapjes

Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse të Dr. Ida Kruti, Zëvendësrektore e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Lekë Sokoli, President i Institutit Shqiptar të Sociologjisë. Në fjalën e tyre të hapjes, folësit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, të kërkimit shkencor dhe të krijimit të hapësirave të përbashkëta akademike për diskutimin e sfidave dhe mundësive që sjell koncepti i shoqërisë inteligjente. Gjithashtu u vlerësua mbështetja e Rektorit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, për nismat që promovojnë kërkimin shkencor dhe ndërkombëtarizimin e institucionit.  Bashkë-kryetarë të këtyre dy sesioneve ishin Dr. Valbona Nathanaili dhe Dr. Altin Kulli.

Kontributi i Kolegjit Universitar “Qiriazi”

Kolegji Universitar “Qiriazi” mori pjesë aktivisht në konferencë si institucion mikpritës dhe kontribuoi me organizimin e sesioneve shkencore, moderimin e tyre, si dhe me një numër të konsiderueshëm referimesh nga stafi akademik, administrativ dhe studentët.

Moderimi i sesioneve u realizua nga:

  • Sesioni 26: Dr. Valbona Nathanaili dhe Dr. Ida Kruti
  • Sesioni 27: Dr. Ali Shingjergji dhe Dr. Altin Kulli

Punimet e paraqitura nga stafi dhe studentët e Kolegjit Universitar “Qiriazi” gjenden në agjendë, bashkangjitur këtij dokumenti në formën e Aneks 1, ndërsa në Aneks 2 gjendet ftesa dërguar me këtë rast në partnerët dhe bashkëpunëtorët e institucionit.

Pjesëmarrja Institucionale

Në konferencë morën pjesë 13 anëtarë të stafit akademik, 4 studentë dhe 2 përfaqësues të stafit administrativ të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, duke përfaqësuar fusha të ndryshme studimi, përfshirë arsimin, historinë, drejtësinë, ekonominë, administratën publike dhe inteligjencën artificiale. Tematikat e trajtuara reflektuan prioritetet e institucionit në fushën e kërkimit shkencor, barazisë gjinore, zhvillimit social, administrimit publik dhe transformimit digjital. Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i konferencës ishte bashkëpunimi akademik i evidentuar në punimet e paraqitura, si ndërmjet pedagogëve dhe studentëve, ashtu edhe ndërmjet pedagogëve të Kolegjit Universitar “Qiriazi” dhe kolegëve të tyre nga institucione të tjera të arsimit të lartë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Bullgaria. Ky bashkëpunim dëshmon për orientimin e institucionit drejt ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor dhe nxitjes së rrjeteve akademike. Në përfundim të punimeve të konferencës, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.