Shqip
Shqip

Bëhu dhe ti pjesë e një historie të lavdishme!

Kolegji Universitar Qiriazi, me një histori suksesi 18-vjeçare, është një nga institucionet e para jopublike të arsimit të lartë në Shqipëri. Themeluar në vitin 2006, duke lartësuar emrin dhe veprën e tre ikonave të arsimit kombëtar shqiptar: Motrave Qiriazi dhe Kristo Dakos, të cilët pikërisht në godinën e këtij Institucioni në vitin 1922 çelën Institutin Femëror Kyrias, një “fole kombëtare” e kohës, me kontribute të jashtëzakonshme për arsimin në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja e vetme dhe unike që emblema e këtij Kolegji, sot dhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë historia e ndritur e këtyre tre figurave të shquara dhe të spikatura kombëtare.

Historia

Instituti Femëror Kyrias (1922) – Rrënjët e Kolegjit Universitar Qiriazi shkojnë prapa në vitin 1922, kur Parashqevi Qiriazi (1887-1971), Sevasti Qiriazi (1871-1949), dhe Kristo Dako (1876-1941) themeluan Institutin Femëror Kyrias në Kodër-Kamëz. Ky institut u ngrit për të nxitur emancipimin, arsimimin, barazinë gjinore, të drejtat si individ, dhe fuqizimin e statusit dhe rolit shoqëror e politik të gruas shqiptare. Ai ishte vazhdim dhe pasqyrë e traditës së familjes Qiriazi, eksperiencës jetësore dhe praktike në Rumani, Turqi, dhe SHBA, si dhe angazhimit aktiv të motrave Qiriazi në zgjidhjen e çështjeve kombëtare shqiptare. Duke qënë një ndër institucionet e para arsimore në Shqipërinë e viteve 1920-1930, roli dhe kontributi i Institutit Femëror Kyria është vlerësuar edhe nga Pandeli Evangjeli, një ndër kryeministrat shqiptarë të kohës.

Periudha e Mbretërise së Zogut (1928-1939) – Goditjen e parë, themeluesit e Institutit Femëror Kyrias, njërit prej institucioneve të para brenda sistemit arsimor shqiptar të sapolindur, e morën në 1933, kur qeveria e Zogut nxorri vendimin për mbylljen e saj. Nën justifikimin e ndërtimit të një sistemi arsimor kombëtar, përmirësimin e programeve arsimore, riorganizimin e arsimit për gruan shqiptare, dhe hapjen e shkollave të reja, ligji i Ministrisë së Arsimit i hartuar në 1928 parashikonte ndërmarrjen e një reforme dhe kryerjen e ndryshimeve në programet shkollore, arsimin profesional, dhe sistemin arsimor shkollor fillor dhe të mesëm. Vendimi parashikonte mbylljen e shkollave private e fetare. Në Prill 1933, Parlamenti e shpalli arsimin e shtetasve shqiptarë si të drejtë ekskluzive e shtetit, të detyrueshëm, dhe falas. Ndonëse ligji lejonte veprimtarinë e institucioneve private nëse këto bashkëpunonin me shtetin Instituti Femëror Kyrias nuk iu dha mundësia të vazhdonte punën e vet por u mbyll.

Periudha e Pushtimit Fashist (1939-1944) – Deri në vitin 1939, pavarësisht ftesave dhe tundimeve të kabineteve qeveritare të Mbretit Zog për të punuar në Ministrinë e Arsimit, motrat Qiriazi preferuan të vazhdonin punën e tyre si mësuese. Edhe pse në vitin 1941 Kristo Dako vdiq, godina e Institutit Kyrias në Kodër Kamëz, vazhdoi të ishte e hapur për këdo që dëshironte të kontribuonte për zhvillimin e arsimit shqiptar. Por me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste Motrat Qiriazi, të njohura për veprimtarinë e tyre patriotike në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë, dhe po ashtu kundërshtare të pushtimit Italian të Shqipërisë, u përballën me sulme nga propaganda italofile. Në një situatë të tillë veprimtaria e institutit të tyre arriti të mbijetojë vetëm falë ndihmës së nacionalistëve shqiptarë.

Regjimi Komunist (1945-1991) – Goditjen e dytë, motrat Qiriazi dhe Institutit Femëror Kyrias e morën pas vendosjes në 1945 të regjimit komunist. Në vitin 1944 instituti u mbyll për të mos u çelur më për 60 vjet. Ndonëse Motrat Qiriazi kishin kundërshtuar pushtimin fashist, regjimi i ri komunist nuk harroi as shërbimet e z. Dako ndaj Zogut, duke pranuar të bëhej edhe Ministër i Arsimit, as afërsinë e Kristo Dakos, Sevasti Qiriazit, dhe Parashqevi Qiriazit me mënyrën amerikane të vështruarit të qeverisjes dhe të drejtësisë, as raportet miqësore të Motrave Qiriazi me qarqet nacionaliste gjatë viteve të pushtimit fashist. Sevasti Qiriazi shihej si një agjente amerikane.Ndër veprimet e para që regjimi komunist bëri ishte konfiskimi i mjediseve dhe mjeteve të Institutit dhe përdorimi i tyre më vonë si zyra dhe auditorë për Institutin Bujqësor të Kamzës, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ndonëse regjimi i ri kishte nevojë për kuadro të përgatitur dhe me përvojë në fushën e arsimit, Sevasti Qiriazi, themeluesja e shkollës së parë të vashave në 1891 në Korçë, nuk u thirr as në zyrën e thjeshtë të një nënpunësi të shkollave të Tiranës. Dhurata që regjimi komunist iu dha atyre në këmbim të veprimtarisë së tyre të hershme patriotike, kontributit në fushën e arsimit, dhe eksperiencës së tyre arsimore dhe jetësore në SHBA ishte lënia në hije, përndjekja, dhunimi, dhe burgosja jo vetëm e Motrave Qiriazi por edhe fëmijëve të tyre, Aleksandrit dhe Gjergjit. Pasoja e një trajtimi të tillë, ishte varja e vetes në qelinë e burgut të Gjergji Qiriazit dhe vdekja e Sevasti Qiriazit në 1949.Ndonëse vite e vite më pas regjimi i akordoi Sevasti Qiriazit titullin “Mësuese e Popullit”, njohja e kontributit të tyre, nuk u bë sepse regjimi komunist ndërroi mendje dhe vendosi të bënte autokritikë dhe “korrigjim” i trajtimit kriminal të familjes Qiriazi. Dhënia e titullit ishte rezultat i faktit që në historinë mjaft të shkurtër të zhvillimit të arsimit shqiptar, që fillon realisht vetëm në vitet 20-të të shekullit të 20-të, emrat e motrave Qiriazi, gjurmët dhe vepra konkrete që ato kishin lënë në arsim përgjatë gjithë jetës së tyre, shfaqeshin ngado dhe ishte e pamundur të zhdukeshin. Zhvillimi i arsimit shqiptar nuk mund të kuptohet pa to, ai asociohet me emrin dhe veprën e tyre dhe të familjes Qiriazi.

Shkolla e Lartë Jopublike “Sevasti Dhe Parashqevi Qiriazi (2006-2013) – Në vitin 2006, rreth 16 vjet pas hapjes së Shqipërisë drejt një sistemi qeverisje dhe shoqërie demokratike, Robert Dako, trashëgimtari i familjes Qiriazi, mori iniciativën dhe vendosi të ringrejë edhe njëherë famën dhe emrin e institucionit të themeluar nga 80 vite më parë nga motrat Qiriazi. Ai vendosi të rihapë ish Institutin Femëror Qiriazi në të njëjtën ndërtesë dhe hapësirë në të cilat u ngrit dhe funksionoi në vitet 1920-të, nën emrin Shkolla e Lartë JoPublike “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”. Shkolla u konceptua si një institucion i arsimit të lartë që kombinonte mësimdhënien me veprimtarinë dhe kërkimin shkencor dhe ofronte studime në Drejtësi dhe Ekonomi. Përgjatë shtatë viteve aktivitet, SHLJPSPQ arriti të kishte një numër të konsiderueshëm studentësh dhe gjithashtu edhe një orientim nga parimet amerikane të menaxhimit dhe funksionimit akademik dhe institucional të institucionit.Goditjen e tretë Kolegji Qiriazi, si institucion privat i arsimit të lartë e mori në vitin 2013, vetëm shtatë vite pas rihapjes së tij. Ashtu si edhe në kohën e Zogut, mbyllja u justifikua dhe krye në kuadër të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare e radhës në arsimin e lartë. Në shtatë vite të funksionimit të tij si institucion privat në arsimin e lartë, Kolegji Qiriazi iu desh të përballej me praktikat e trajtimit dhe vlerësimit institucional dhe akademik të institucioneve arsimore universitare përmes klientelizmit politik; ju desh të përballej gjithashtu edhe me një numër problemesh financiare që erdhën në rritje. Pika kulmore e një situate të tillë ishte vendimin në vitin 2013 i Ministrisë së Arsimit për të pezulluar vazhdimin e aktivitetit mësimdhënës të institucionit. Pas shtatë vitesh punë, Kolegji Qiriazi iu desh te mbyllte edhe njëherë dyert e tij.

Kolegji Universitar Qiriazi (2016-Sot) – Që nga viti 2016 ish Instituti Femëror Kyrias, dhe ish SHLJP “Sevasti & Parashqevi Qiriazi” rihapi dyert si Kolegji Universitar “Qiriazi”. Më iniciativën dhe investimin e Grupit Investues “Uldedaj”, Qiriazi hapi edhe njëherë dyert për edukimin universitar. Në angazhimin e tij për rivënien në funksionim të institucionit, Grupi “Uldedaj” është nisur jo vetëm nga eksperienca praktike dhe lidhjet e ngushta të investitorëve kryesorë në fushën e arsimit dhe veprimtarisë akademike, por edhe nga dëshira për të mbajtur gjallë emrin dhe traditën e Motrave Qiriazi dhe institucionit të themeluar prej tyre.Nën dritën e pasurimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të traditës arsimore Qiriazi, Universiteti Qiriazi sot synon të mbështetet në modelet më të mira të funksionimit të institucioneve universitare në arsimin e lartë. Misioni tij mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimi të këtij misioni mbetet kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe vënia në epiqendër të vëmëndjes e studentit dhe të ardhmes së tij.Në vazhdën e traditës më të mirë të Familjes Qiriazi, Universiteti Qiriazi funksionon mbi vlerat e integritetit, respektit, pergjegjshmërisë, cilësisë akademike, transparencës, dhe lirisë akademike. Po në të njëjtën frymë, strategjia e Universitetit Qiriazi është rritja e cilësisë akademike, e bashkëpunimit me universitete të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë, e mobilitetit të studentëve dhe stafit të saj. Si institucion i arsimit të lartë i akredituar nga ASCAL, Universiteti Qiriazi synon të ofrojë arsim dhe diploma jo vetëm në fushat e drejtësisë dhe ekonomisë por edhe në degë të tjera. Zhvillimi dhe zgjerimi i fushave të veprimtarisë së tij akademike jo vetëm do të pasurojë trashëgiminë e Familjes Qiriazi por edhe shndërrojë këtë traditë në një burim të përhershëm të cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor në Shqipëri.

Lajmet

Kolegji Universitar Qiriazi Lajme

Shpallja e thirrjeve për paraqitjen e shprehjeve të interesit për...

Njoftimi i plotë : SHPALLEN THIRRJET PËR KANDIDATURA NË KLGJ DHE KLP

Jo të gjithë bëhen financierë…por të gjithë përballen me paranë

Ka njerëz që mendojnë se financa është vetëm për ata që duan të punojnë në banka apo të merren me tabela Excel-i gjithë jetën. Dhe pikërisht këtu nis keqkuptimi më i madh për këtë degë.

Sepse e vërteta është shumë më e thjeshtë: financa nuk ka të bëjë vetëm me profesionin. Ka të bëjë me mënyrën si funksionon bota.

Në një kohë ku të gjithë flasin për para, investime, kredi, biznese, inflacion, tregje dhe sukses financiar, të kuptosh financën po bëhet një nga aftësitë më të rëndësishme të jetës moderne. Jo sepse të gjithë do të bëhen financierë, por sepse të gjithë do të marrin vendime që lidhen me paranë.

Dikush do të hapë një biznes.
Dikush tjetër do të menaxhojë një kompani.
Dikush do të investojë.
Dikush do të marrë një kredi.
Dikush do të punojë në marketing, teknologji apo menaxhim, por përsëri do të duhet të kuptojë si funksionojnë kostot, fitimi dhe vendimmarrja financiare.

Dhe këtu ndryshon mënyra si duhet parë kjo degë.

Financa nuk është thjesht matematikë. Është logjikë. Është analizë. Është aftësia për të kuptuar rrezikun, mundësinë dhe mënyrën si lëviz ekonomia reale.

Brezi i sotëm jeton në një botë shumë më të shpejtë sesa më parë. Një botë ku informacioni qarkullon me sekonda, tregjet ndryshojnë vazhdimisht dhe teknologjia po transformon mënyrën si punojmë, blejmë dhe investojmë. Në këtë realitet, njerëzit që dinë të lexojnë shifrat dhe të kuptojnë ekonominë kanë avantazh real.

Por një tjetër gabim që bëhet shpesh është ideja se financa është “degë e ftohtë” apo pa kreativitet. Në fakt, pas çdo vendimi të madh biznesi, pas çdo strategjie rritjeje dhe pas çdo kompanie që arrin sukses, ekziston dikush që di të analizojë, të planifikojë dhe të marrë vendime financiare inteligjente.

Kjo është arsyeja pse programi i Financës në Kolegjin Universitar Qiriazi nuk fokusohet vetëm te teoria, por te përgatitja e studentëve për një treg pune që kërkon njerëz praktikë, analitikë dhe të aftë për të menduar strategjikisht.

Studentët përballen me situata reale, zhvillojnë aftësi menaxhimi dhe analize financiare, si edhe kuptojnë mënyrën si funksionon ekonomia moderne në praktikë. Sepse sot kompanitë nuk kërkojnë vetëm diploma. Kërkojnë njerëz që dinë të marrin vendime.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse financa po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, edhe për njerëzit që nuk e shohin veten si “financierë”.

Sepse në fund, jo të gjithë do të punojnë në financë. Por të gjithë do të jetojnë në një botë që drejtohet nga ajo.

Programi Asistent Ligjor dhe Administrativ

Asistent Ligjor dhe Administrativ është ai roli që mban gjithçka në lëvizje, nga dokumentet te proceset, nga organizimi te zbatimi.
Çfarë ndërton gjatë këtyre 2 viteve?
– Aftësi për të menaxhuar dokumentacion ligjor dhe administrativ
– Kuptim real të funksionimit të institucioneve dhe bizneseve
– Një profil që kërkohet në çdo sektor
🎬 Next episode: Ti nuk je më thjesht pjesë e një zyre.
Je arsyeja pse ajo funksionon.
📨mailto:[email protected]
☎️+355 67 2000 874
📍Ju mirëpresim në ambientet e Universitetit, rruga Taulantët, Kodër-Kamëz, Tiranë 1029

E ardhmja fillon me drejtimin e duhur

E ardhmja shpesh nuk fillon me një vendim perfekt.
Fillon me një drejtim që ka kuptim.
Në Universitetin Qiriazi, çdo hap gjatë studimeve është i lidhur me atë që vjen më pas. Jo thjesht për të përfunduar një program, por për të ndërtuar një rrugë që funksionon.
🎓 Programe që të përfshijnë
💼 Mundësi që të afrojnë me tregun
🤝 Mbështetje që të mban në rrugë
Sepse disa zgjedhje bëjnë diferencën.

Leksionin i hapur me Skënder Sherifin

Një takim me artin, mendimin kritik dhe identitetin në kohën moderne.
Kolegji Universitar “Qiriazi” organizon leksionin e hapur me Skënder Sherifin, poet, shkrimtar, eseist dhe një nga personalitetet më të njohura të kulturës frankofone belgo-shqiptare.
I lindur në Kosovë dhe me veprimtari të gjatë në Bruksel, Sherifi ka ndërtuar një profil të veçantë artistik, ku ndërthuren shqipja dhe frëngjishtja, identiteti dhe liria, kultura dhe ekzistenca moderne. Ai është përfshirë në fjalorin e famshëm francez “Larousse”, ndërsa veprat e tij janë përkthyer dhe botuar edhe në shqip nga Ibrahim Rugova.
Gjatë leksionit do të diskutohet mbi:
▫️ artin dhe kulturën moderne
▫️ identitetin dhe sfidat e kohës
▫️ dialogun mes krijimtarisë dhe shoqërisë bashkëkohore
🗓️ 7 Maj 2026
🕛 Ora 12:00
📍 Kolegji Universitar “Qiriazi” – Salla “Charles Crane”
Një bisedë e hapur për studentët dhe të gjithë të apasionuarit pas artit, kulturës dhe mendimit bashkëkohor. ✨
📨mailto:[email protected]
☎️+355 67 2000 874
📍Ju mirëpresim në ambientet e Universitetit, rruga Taulantët, Kodër-Kamëz, Tiranë 1029