Rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, zhvilloi një vizitë promovuese në Bujanoc dhe Preshevë, duke vizituar tre shkolla të mesme në këto dy qytete shqiptare në Serbi.
Gjatë vizitës në shkollën e mesme në Bujanoc dhe në dy shkolla të mesme në Preshevë, u realizuan takime informuese jo vetëm me maturantët, por edhe me drejtuesit dhe mësuesit e këtyre institucioneve
Në këto takime u prezantuan përparësitë që do të kenë maturantët që zgjedhin të studiojnë në programet tona të studimit, pozicioni gjeografik i universitetit, si dhe mundësia e akomodimit në “Qendrën Rezidenciale të Studentëve”, e vendosur brenda të njëjtit kampus universitar.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm i theksuar ishte njohja reciproke e diplomave ndërmjet shtetit shqiptar dhe shtetit serb.
Në vijim të traditës së krijuar për mbështetjen e maturantëve me rezultate të larta dhe atyre që përballen me vështirësi për të ndjekur studimet, Kolegji Universitar Qiriazi ofron bursa studimi.
Në kuadër të kësaj vizite u zhvillua gjithashtu një takim me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani.

