Biografia
Prof. Asoc. Dr. Lulzim Rashiti është pedagog dhe kërkues shkencor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Kosovë, ku prej janarit 2024 ushtron edhe detyrën e prodekanit. Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Kolegjit Universitar “Qiriazi”, ai është angazhuar si pedagog i ftuar për zhvillimin e lëndës “Marketing Ndërkombëtar” në Fakultetin e Ekonomisë të Kolegjit Universitar Qiriazi.
Ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Marketing në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa gradën Doktor i Shkencave Ekonomike, në fushën e marketingut, e ka fituar në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNWE), Sofje, Bullgari.
Karrierën akademike e ka zhvilluar kryesisht në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ku ka avancuar nga asistent në profesor asistent dhe më pas në profesor të asociuar. Përvoja e tij në mësimdhënie përfshin lëndë si Hyrje në Marketing, Marketingu Elektronik, Sjellja Konsumatore, Menaxhimi i Shitjeve, Marketingu Ndërkombëtar dhe Marketingu i Shërbimeve. Gjatë vitit akademik 2021–2022 ka qenë gjithashtu pedagog i angazhuar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe Shkup, ku ka ligjëruar lëndët Politika Ekonomike Ndërkombëtare dhe Biznesi Ndërkombëtar.
Veprimtaria e tij kërkimore përqendrohet në marketingun digjital, sjelljen konsumatore, transformimin digjital, krijimin e vlerës për klientin dhe ndikimin e strategjive të marketingut në vendimmarrjen e konsumatorëve. Në vitin 2025 botoi monografinë shkencore Marketingu digjital në bankingun me pakicë: Krijimi dhe shpërndarja e vlerës së klientit. Ka prezantuar punime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka marrë pjesë në aktivitete të mobilitetit akademik dhe projekte ndërkombëtare në disa vende evropiane.
Krahas angazhimit akademik, ka përvojë profesionale në sektorin bankar, në ekspertizën financiare dhe në këshillimin e bizneseve. Përmes bashkëpunimit me institucione publike, oda ekonomike dhe rrjete biznesi, kontribuon në forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit privat, si dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik rajonal.


