
Reforma dhe Legjislacioni. Arsimi Parauniversitar. Çështje, praktika dhe politika, rasti shqiptar
Abstrakti
Reforma dhe legjislacioni në arsimin parauniversitar. Çështje, praktika dhe politika – rasti shqiptar trajton zhvillimin e reformave dhe të kuadrit ligjor të arsimit parauniversitar në Shqipëri, duke i vendosur ato në një perspektivë historike, teorike dhe ndërkombëtare. Në pjesën e parë paraqiten idetë e disa prej filozofëve dhe mendimtarëve kryesorë të arsimit, parimet e reformës me bazë standardet dhe zhvillimet më të rëndësishme të shkollës shqiptare në periudha të ndryshme historike. Analiza plotësohet me dokumente dhe politika ndërkombëtare për të drejtën dhe mundësinë e arsimimit. Pjesa e dytë përqendrohet në legjislacionin shqiptar të arsimit parauniversitar, organizimin dhe funksionimin e shkollës, arsimin special, marrëdhëniet ndërmjet prindit dhe institucionit arsimor, si dhe statusin e profesionit të mësuesit. Vëmendje e veçantë u kushtohet formimit, zhvillimit profesional dhe vlerësimit të mësuesve, nevojës për hartimin e një kodi etik dhe përcaktimit të standardeve të punës mësimore. Duke përfshirë edhe raste nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për marrëdhëniet prind–shkollë, botimi synon të nxisë ndërgjegjësimin e mësuesve, prindërve dhe politikëbërësve. Në përfundim, ofrohen analiza kritike dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e politikave, praktikave dhe legjislacionit të arsimit parauniversitar në Shqipëri.
