
KIWI. Përshtatja me Kushtet Klimatike të Ultësirës Perëndimore
Abstrakti
Libri “KIWI – Përshtatja me kushtet klimatike të ultësirës perëndimore” trajton origjinën, përhapjen, rëndësinë ekonomike dhe ushqyese, si dhe prodhimin e kivit në rajon dhe në botë. Vëmendje e veçantë i kushtohet kërkesave biologjike dhe agroekologjike të kësaj bime, me synim vlerësimin e mundësive të përshtatjes dhe të kultivimit të saj në kushtet klimatiko-tokësore të ultësirës perëndimore të Shqipërisë. Në libër analizohen faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen, zhvillimin dhe prodhimtarinë e kivit, ndër të cilët temperatura, drita, lagështira dhe karakteristikat e tokës. Një pjesë e rëndësishme i kushtohet faktorëve kufizues të kultivimit, veçanërisht ndikimit të temperaturave të papërshtatshme, kërkesave për tokën, si dhe rrezikut që paraqesin ngricat e hershme të vjeshtës dhe ngricat e vona të pranverës. Libri përfshin gjithashtu çështje që lidhen me ngritjen e pemtoreve të kivit, përzgjedhjen dhe organizimin e sipërfaqeve të kultivimit, kërkesat teknologjike, mirëmbajtjen e bimëve dhe zbatimin e proceseve kryesore agroteknike.
