Shqip
Shqip
Të gjitha publikimet
2024Artikull shkencor Akses i hapur

Hipotezat në historiografinë shqiptare për mbrojtjen e hebrenjve

Dr. Meri Kraja; Manuela Duda

Kyrias

Abstrakti

Ky punim u shkrua me dëshirën për të nxitur kujtesën dhe shkon për nder të atyre njerëzve që me vullnet dhe kurajë kapërcyen sfidat e jetës. Punimi synon të hedhë dritë dhe të kujtojë një faqe të historisë hebraike por dhe të historisë njerëzore e shënjuar në mënyrë tragjike nga martirë, eksode dhe persekutime. Kujtimi i tyre është një detyrim moral që kemi kundrejt këtij populli, ndaj ofendimeve të dinjitetit njerëzor, persekutimit të personave të pafajshëm, shfarosjes në masë të një race. Nuk mund ta pranojmë që njerëzimi të harrojë Auschwitz, Dachau, Birchenhau, Mauthausen etj. Por njëkohësisht nuk duhet të harrojmë dhe "të drejtët" e kësaj historie të errët. Analizojmë dhe "kujtojmë" me dëshirën për të integruar historinë e hebrenjve shqiptarë me historinë e popullit shqiptar. Hulumtimet mbi këtë pjesë të historisë duhet të kenë këtë detyrë të vështirë, por fisnike: t'u shpjegojnë natyrën njerëzore brezave të ardhshëm pa hipokrizi, duke treguar se krimet e kryera atëherë mund të kryhen përsëri. Ndaj ne kemi një detyrim moral për të kujtuar këtë faqe të errët të historisë.
Dhe mund të themi, se ne e kujtojmë më me dinjitet se shumë popuj të tjerë pasi në
fund të fundit, ndërgjegjja jonë është e pastër. Punimi analizon motivet dhe mekanizmat sociale e morale që kanë karakterizuar këtë mbrojtje. Pse shqiptarët vepruan me aq guxim, kur askush tjetër nuk do ta bënte? Pikërisht në këtë kontekst, në përpjekjen për të shpjeguar arsyet dhe motivet e shpëtimit, termi "Besa" kthehet në objektin e kërkimit tonë. Pasi do jetë termi që rezulton më i përdorur nga ana e dëshmitarëve. Në këtë pikë lind natyrshëm pyetja: cili ishte roli i "Besës" në mbrojtjen e hebrenjve. A është "Besa" si institut i së drejtës zakonore shqiptare, arsyeja që e kthen çështjen shqiptare në unike? Çfarë ka unike në kulturën shqiptare, që lidhet me dinamikën e mbrojtjes së hebrenjve? Ky punim synon të analizojë veprimet e “Të Drejtëve", popullit të thjeshtë apo zyrtarëve të tij që u përpoqën të veprojnë me bujari, solidaritet, empati dhe mbi të gjitha, për të kuptuar nëse janë cilësi të lindura apo të fituara. Gjithsesi, një përgjigje më e saktë mund të vijë vetëm nga një studim krahasues në fushat e historisë, drejtësisë, psikologjisë dhe sociologjisë. Shqipëria e këtyre viteve tragjike tregon se antisemitizmi nuk është i pashmangshëm dhe se mund të ekzistojë një marrëveshje e vërtetë mes një kombi dhe pakicës që jeton në të. Ne e dimë që hebrenjtë janë mbrojtur dhe në vende të tjera të botës, por këto janë
raste unike, i përkasin individëve të caktuar të cilët kanë rrezikuar jetët e tyre për t'i mbrojtur, por jo përpjekjeve të një populli të tërë bashkë me qeverisjen e tij siç është rasti në Shqipëri. Kjo për mendimin tonë e bën Shqipërinë unike!

Fjalët kyçe

This will close in 0 seconds