
Deontologjia e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovë
Abstrakti
Në librin Deontologjia e profesionit të avokatit, Enida Bozheku trajton parimet etike dhe detyrimet profesionale që udhëheqin ushtrimin e avokatisë. Vepra ndjek zhvillimin historik të profesionit dhe shqyrton kuadrin që e rregullon atë, me vëmendje të veçantë ndaj legjislacionit shqiptar dhe italian. Studimi ndërthur analizën e literaturës historike dhe juridike me përvojën profesionale të autores. Përmes një qasjeje krahasuese, libri e vendos deontologjinë e avokatit në kontekstin e zhvillimit të profesionit në Shqipëri dhe në Evropë. Ai u drejtohet studentëve të drejtësisë, juristëve, avokatëve dhe atyre që përgatiten për të ushtruar këtë profesion.
Avokat Brizida Gjikondi shprehet per librin:
Ky punim i arrirë, përbëhet nga 5 pjesë, të emërtuara përkatësisht: Historia e avokatisë dhe antropologjia e figurës së avokatit; Rregullat e sistemit të avokatisë; Deontologjia profesionale e avokatit; Ligji për profesionin e avokatit dhe Kodi i etikës profesionale në Republikën e Kosovës dhe avokatët në Europë, të përbëra edhe këto pjesë në kapituj të veçantë. Brenda kësaj strukture të mirëkonceptuar, lexuesi do të gjejë të shtjelluar konkretisht dhe të interpretuar në mënyrë të hollësishme, institucionin juridik të avokatit, dhe jo vetëm në planin historik ndërkombëtar, por edhe në planin kombëtar të krijimit, funksionimit dhe akteve ligjore dhe morale ku ai bazohet gjatë ushtrimit të profesionit të tij. Nëpërmjet informacioneve të shumta historike dhe ligjore, autorja në mënyrë të natyrshme sjell një panoramë të plotë jo vetëm të gjenezës dhe të ecurisë së këtij profesioni jetik për drejtësinë në tërësinë e ekzistencës së saj, por edhe një informacion të detajuar për rregullat ligjore dhe morale që avokatët duhet të zbatojnë përgjatë veprimtarisë së tyre. Mbas izolimit 50-vjeçar, kultura juridike shqiptare pati një boshllëk faktik, sidomos në fushën e literaturës, që ka të bëjë me avokatinë, ndaj në këtë kuptim mendoj me bindje se kjo literaturë që po u ofrohet juristëve shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të shërbejë si literaturë shumë e vlefshme jo vetëm për avokatët profesionistë apo aspirantëve për avokatë, por edhe studentëve, gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve etj. Ky punim do të pasurojë dhe do të ndihmojë me një kulturë të thellë juridike fushën e avokatisë. Punimi i këtij libri ka ardhur falë iniciativës dhe punës së palodhur të av. Enida Bozheku, punim që i jep asaj jo vetëm një vend të nderuar në plejadën e femrave të shquara në kulturën shqiptare, por mbarë autorëve të fushës së drejtësisë shqiptare.

