Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i Kolegjit Universitar “Qiriazi” për çështjet financiare dhe administrative, sipas Ligjit nr. 80/2015.
Administratori duhet të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i Shkencave” në fushën e drejtësisë ose ekonomisë dhe përvojë pune së paku shtatë vjet në këto fusha.
Administratori i institucionit emërohet në detyrë nga Bordi i Administrimit.
Administratori nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër, akademik apo administrativ.
Administratori i raporton për veprimtarinë e tij Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik, përkatësisht për përmbushjen e detyrimeve për problemet financiare e administrative dhe ato në fushën akademike.
-
Administratori kryen këto funksione kryesore:
-
Harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij;
-
Propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen dhe zbatimin e tyre;
-
Ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të Kolegjit Universitar “Qiriazi” në strukturat e varësisë së tij;
-
Zbaton të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit dhe të Senatit Akademik, me karakter financiar dhe administrativ;
-
I paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit, në përfundim të çdo viti akademik;
-
Bashkëpunon me autoritetet dhe strukturat e tjera të institucionit për çështje të administrimit të përditshëm;
-
Emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe stafin administrativ e ndihmës administrativ. Kjo, në çdo rast, me propozim të dekanëve dhe pas miratimit të Bordit të Administrimit;
-
Plotëson kërkesat e rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare;
-
Funksione të tjera të administratorit të institucionit përcaktohen në Rregulloren e Kolegjit Universitar “Qiriazi”.
-
