Në prag të fillimit të vitit të ri akademik, drejtuesit dhe stafi i Kolegjit Universitar Qiriazi zhvilluan një takim ku u diskutua për sfidat dhe detyrat kryesore për mbarëvajtjen e vitit akademik 2023-2024.
Presidenti i KUQ, Prof. Gjokë Uldedaj, falenderoi anëtarët e stafit akademik për kontributin dhe përkushtimin që tregojnë në punën e tyre të përditshme me studentët. Z. Uldedaj e njohu stafin me misionin dhe strategjinë e universitetit, duke vënë theksin në rëndësinë që universiteti i jep cilësisë dhe edukimit mbi bazën e vlerave universale. Ai shtoi se Kolegji Universitar Qiriazi ka në qendër studentin dhe shërbimin ndaj studentit, ashtu siç është qasja e universiteteve më bashkëkohore në botë.
Rektori, Prof. Dr. Maksim Meço, u shpreh se stafi akademik është shtylla kryesore e një universiteti, ndaj përgjegjësia dhe privilegji i të qënit në shërbim të studentëve është e madhe.
Ne në KUQ jemi të bindur që, ashtu si çdo vit, serioziteti dhe përkushtimi i të gjithë stafit të universitetit ndaj punës dhe studentëve do vazhdojë të jetë në nivelet më të larta. Përvoja më e madhe dhe prurjet e reja e kanë rritur edhe më shumë cilësinë së stafit akademik në Kolegjin Universitar Qiriazi.