Të mërkurën e datës 6 mars 2024, në Universitetin Qiriazi u zhvillua forumi akademik “Epopeja e UÇK-së dhe Heronjtë e Kosovës – profesor martir Fehmi AGANI”. Ky forum është në vazhdën e një cikli forumesh akademike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe diasporë. Ai përkon me përvjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënies së heroit legjendar Adem Jasharit, si dhe me 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe rënies së profesorit martir Fehmi Agani.

Panelistë në këtë event ishin Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri Sh.T.Z. Skënder Durmishi; Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Shqiptar të Sociologjisë z. Lekë Sokoli; Presidenti i Kolegjit Universitar Qiriazi z. Gjokë Uldedaj; Presidentja e Shoqatës Sociologjike Shqiptare znj. Brunilda Zenelaga; znj. Kozeta HOXHA, kulturologe dhe gazetare në RTSH; dhe drejtuesi i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Qiriazi, z. Viliem Kurtulaj.

Të pranishëm në auditor ishin pedagogë, studentë dhe pjesëtarë të tjerë të universitetit, të cilët, nëpërmjet komenteve dhe pyetjeve të tyre, shprehën interes të veçantë për figurën e Fehmi Aganit dhe luftën e UÇK-së.

Në përfundim të forumit, prof. Lekë Sokoli, në emër të Komisionit të Vlerësimit të Kontributeve Akademike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, dhe diasporë), i dorëzoi Presidentit të Kolegjit Universitar Qiriazi, prof. Gjokë Uldedaj, ÇMIMIN E EKSELENCËS “FEHMI AGANI” për kontributin historik, nga themelimi i Institutit Femëror në vitin 1922 e në vijim, në emancipimin e shoqërisë shqiptare, në edukimin shoqëror dhe në frymën e atdhetarisë.